24 vjeçari, Mickael Panos, është futbollisti më i ri i KF Vllaznia. Për futbollistin në fjalë është shprehur më herët edhe presidenti i klubit kuqeblu, Alban Xhaferi duke konfirmuar se ai po stervitet me skuadrën në pritje të firmosjes së kontratës zyrtare me klubin kuqeblu.
Burime pranë KF Vllaznia konfirmuan për Veriu Sport se Panos ka marrë votëbesimin e stafit teknik për tu bërë pjesë e skuadrës kuqëblu. Vendimin për të vazhduar bashkëpunimin me Vllazninë, drejtuesit e morën pasi gjatë këtyre ditëve stervitore panë tek Panos vlerat e një futbollisti që pritet t’i shërbejë në repartin e mesit të fushës.
Nga të dhënat që vihen në dispozicion, 24 vjeçari, Mickael Panos, i gjatë 1 metër dhe 83 cm më herët, gjatë sezonit futbollistik 2017-19 ka luajtur në kampionatin francez me ekipin e dytë të Saint-Étienne duke zhvilluar 45 ndeshje. Më pas, në 2019, ai figuron të jetë aktivizuar në ekipin e pare të ktij klubi dhe së fundmi, në kampionatin e kaluar 2021 ai ka luajtur në Qipro me ekipin Enosis Neon Paralimni 2021, ndërkohë që ka qënë pjesë edhe e kombëtarëes franceze U-19 ku ka zhvilluar 1 ndeshje.
Sipas rregullores në fuqi, francezi Panos nuk mund të aktivizohet aktualisht zyrtarisht në kampionatin shqiptar. Megjithatë, drejtuesit kuqeblu kanë kryer proçedurat e kontratës me të, e cila do të depozitohet pranë strukturave përkatëse të FSHF-së për të qënë gati në merkaton e janarit që të zyrtarizohet si futbollist i Vllaznisë.
Gjatë seancave të fundit stervitore të Vllaznisë, Panos është parë të punojë në mënyrë individuale për rritjen e parametrave fizikë, ndërkohë që krahas pjesëtarëve të stafit teknik, me të po punon në mënyrë individuale edhe drejtori sportiv, Matko Djarmati, i cili ka lënë zyrat e klubit duke zbritur në fushë stervitore me uniformën sportive.