Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të shprehë mirënjohjen e saj të thellë për të gjithë tifozët shqiptarë, për sjelljen shembullore dhe mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Kombëtares gjatë ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës 2026.
Pasioni, energjia dhe qytetaria e treguar në “Air Albania” kanë qenë një dëshmi e kulturës së re sportive që po ndërtojmë së bashku në vend.
Progresi i dukshëm i tifozerisë reflektohet edhe në vlerësimet zyrtare të institucioneve ndërkombëtare. Për ndeshjen Shqipëri–Angli, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, Komisioni Disiplinor i FIFA-s vendosi një gjobë simbolike prej vetëm 2250 frangash zvicerane, për shkak të një incidenti të izoluar.
Ky vendim përbën një tregues të qartë të përmirësimit të ndjeshëm, sidomos në krahasim me dënimet e rënda të viteve të shkuara. Incidentet kanë qenë minimale dhe sjellja e përgjithshme e publikut është vlerësuar si pozitive.
Shqipëria renditet aktualisht në vendin e 50-të në klasifikimin “Fair Play” të UEFA-s, një pozicion që dëshmon progres, por që njëkohësisht na motivon të synojmë më lart. FSHF beson se tifozët shqiptarë meritojnë të jenë në vendet e para të kësaj renditjeje dhe është e bindur se, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndërgjegjësimit të vazhdueshëm, ky objektiv është plotësisht i arritshëm.
Federata Shqiptare e Futbollit i inkurajon të gjithë tifozët të vazhdojnë të jenë shembull sportiviteti dhe mbështetjeje korrekte për Kombëtaren, duke forcuar imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe duke kontribuar në një atmosferë të sigurt, të qytetëruar dhe pozitive në çdo ndeshje.



