Kampionati Kombëtar i futbollit për kategorinë Superiore U-21 në të cilin marrin pjesë 11 klube e më konkretisht KF Turbina, KF Partizani, FK Apolonia, KF Vllaznia, FK Kukësi, KF Laçi, FK Dinamo, KF Egnatia, KF Tirana, KF Teuta dhe KF Bylis, është vendosur që të fillojë me datë 29 shtator kur do të luhet java e parë. Për të mësuar çiftet që do të përballen gjatë këtij sezoni futbollistik, FSHF për mes drejtuesit të Departamentit të Garave dhe Kompeticioneve në këtë institucion, Marjus Sulejmani, dhe me praninë edhe të përfaqësuesve të klubeve pjesëmarrëse në këtë kompeticion ka hedhur shortin përkatës.
Ky është edicion i dytë i Kategorisë Superiore për 21 vjeçarët. Sezoni i parë u përmbyll me sukses, teksa kampion për edicionin e parë u shpall KF Bylis. Ky kompeticion është një risi e Federatës Shqiptare të Futbollit që vendosi vitin e kaluar të merrte këtë iniciativë dhe t’i jepte jetë këtij projekti mjaft të rëndësishëm për futbollin. Vendimi u mor në mënyrë që lojtarët e shumtë të cilët mbyllin ciklin me ekipet e moshave U-19 dhe nuk kanë hapësira momentale për të vazhduar karrierën me ekipet e të rriturve, të kenë mundësi të aktivizohen sa më shumë me ekipet e 21-vjeçarëve. Edhe për klubet që kanë shumë lojtarë që vijnë nga akademitë është një mundësi e mirë për të pasur futbollistë që aktivizohen me ekipet U-21 dhe mund të jenë të gatshëm në çdo moment për të luajtur me ekipet e të rriturve sipas parashikimeve të rregullores.
Edicioni do të nisë më datë 29 shtator me këto 5 sfida të javës së parë që luhen në orën 14:00:
KF Turbina – KF Partizani
FK Apolonia – KF Vllaznia
FK Kukësi – KF Laçi
FK Dinamo – KF Egnatia
KF Tirana – KF Bylis
(Teuta pushim pushim javën e parë)