Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur zbatimin e projektit “Uniforma Ime” për sezonin e ri futbollistik 2025/2026. Ky projekt ka për qëllim të mbështesë klubet dhe akademitë që marrin pjesë në kampionatet zyrtare për grupmoshat U7–U19, duke ofruar uniforma falas për të gjithë fëmijët që luajnë futboll.
FSHF e zhvillon këtë nismë për të tretin vit radhazi, si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar kostot e familjeve dhe për të krijuar kushte të barabarta për çdo fëmijë që është pjesë e garave zyrtare në mbarë vendin.
Gjatë këtij sezoni do të shpërndahen mbi 20,000 sete sportive për 204 klube dhe akademi në të gjithë Shqipërinë.
Çdo set përfshin 2 uniforma loje (bluzë, pantallona, geta), 1 kostum sportiv (xhaketë dhe tuta) dhe 1 çantë sportive.
Aktualisht, shpërndarja po zhvillohet për ekipet e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, ndërsa në vijim do të përfshihen edhe qendrat rajonale dhe kampionatet amatore.



