Tifozët do të mund të kthehen më në fund në stadium pas një viti e gjysmë në muajin shtator për të ndjekur e për të mbështetur Kombëtaren shqiptare në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Përfaqësuesja shqiptare do të presë Hungarinë më 5 shtator dhe vetëm tre ditë më pas, më 8 shtator do të sfidojmë San Marinon me të dyja takimet që luhen në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit.
Pas vendimit të autoriteteve shëndetësore për lejimin e pjesshëm të tifozëve në stadium, Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur përgatitjet për rikthimin e spektatorëve, duke respektuar edhe protokollet anti-Covid 19.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se që nga data 23 gusht do të dalin në shitje biletat për ndeshjen Shqipëri-Hungari, ndërkohë që janë bërë publike tashmë edhe çmimet përkatëse për çdo sektor të stadiumit.
Për të gjithë të interesuarit biletat për këtë ndeshje do të mund t’i gjeni online në adresën www.bileta.fshf.org ose mund të blihen në Tiranë pranë stadiumit kombëtar “Air Albania” dhe stadiumit “Selman Stërmasi”. Ndërkaq, nga data 26 gushti biletat e Shqipëri-Hungari do të mund të blihen edhe në biletarinë pranë stadiumit “Elbasan Arena”.