10-ditëshi i fundit i korrikut pritet të vulosë edhe zyrtarisht fatin e formulës së sezonit të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar zyrtarisht të hënën për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar edhe Departamenti i Komunikimit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Sipas kreut të këtij Departamenti, Andi Verçani, klubet kanë rënë dakord parimisht për formulën e re me një fazë të shtuar “play-off”-i, apo thënë ndryshe një “4-shje finale”, që do të luhet me sistem grumbullimi dhe në trajtën e një grupi.
“Pas pajtimit me njërin nga variantet, klubeve do t’u dërgohet brenda ditëve në vijim një draft i plotë i kontratës, por edhe i rregullores së garës me të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme”, – ka sqaruar Verçani në një komunikim të shkurtër telefonik me Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, duke shtuar: “Brenda kësaj jave ose, maksimumi, brenda 10 ditësh do të mblidhet edhe Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, për ta miratuar atë dhe për t’u hapur rrugën përgatitjeve për sezonin e ri”.
Sipas tij, kjo fazë finale shtesë do të zhvillohet në mbyllje të 4 fazave të sezonit të rregullt dhe do të vërë përballë 4 ekipet e para të renditjes, të cilat do të ndeshen nga dy herë me njëra-tjetrën, njëlloj si një grup i fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve, që do të luhet i gjithi në një Stadium, në “Arenën Kombëtare” në kryeqytet. Në ditët në vijim do të kristalizohen edhe hollësi të tjera rreth kësaj formule të re, që premton rritjen e interesit dhe të të ardhurave.