Monday, May 6, 2024

Personazh-Shkodrani Oltion Luli, një ndër perlat e atletikës shqiptare

Lexo

 

Nga Faik SADIKU

Atletika quhet padyshim mbretëresha e të gjitha sporteve në Shqipëri. Ajo ka nisë dihatjet e saj rreth viteve 1920 në qytetin kampion të kulturës, artit, sportit, Kalasë së Rozafës, Drinit të rrëmbyeshëm, Bunës se qetë, e liqenit magjik të Shkodrës, ku flladi i tij ka magjepsë Palokë Nikën, kampion e rekordmen në këtë sport, ta krijojë mbretëreshën tonë të sporteve e kampionët e saj. Sot unë dua të ndalem te një emër kampion e legjendë e këtij sporti, Oltion Luli.

Për këtë djalë të thjeshtë, të ndershëm e një intelektual unik, meriton të shkruhen dy rreshta, se është i rreshtuar në panteonin e këtij sporti si ndër më të mirët. Pra, i shquar renditet ai në emrat legjendë të atletikës shqiptare, si një ndër kampionët e rekordmenët e shpejtësisë me më shumë tituj e rekorde kombëtare. Ky emër i shquar është pjesë e atij brezi të artë, i një grupi talentesh, kampionë e rekordmenë, elitë që bënin namin në atletikën shqiptare për meshkuj, me plot tituj kampionë e rekorde në çdo garë.

Pra, ja vlen të kujtohen me nostalgji. Oltioni i përket grupit “fluturues” të kohës, kur 4 sprintierët në garën e shpejtësisë, të stafetës 4×100 e 400 metra, ishin të pathyeshëm, si Arben Maka, sot një trajner i suksesshëm, i djemve kampionë, Niko Laro, Sokol Shepeteja. Ishte ky grup legjendë që mbajtën të paprekur për gati 3 dekada rezultatin e tyre rekord në këto dy stafeta. Për të plotësuar emrat e tyre kampionë të asaj kohe, ja vlen të përmenden kampionët e shquar, si Bardhyl Laçja, Arben Permeza, Ilir Xhani, Ardian Zhuri, Arben Mlloja, Sokol Hoxha, Gentjan Shpuza, Azgan Domnori, e Gëzim Dimnaku, të gjithë kampionë e rekordmend në garat e tyre respektive, titull që e mbajtën pa ju ndarë për një dekadë.

Ky grup simpatik, nuk kish kuptim nga emrat e shquar kampionë, e trajnerët Hysni Bebeziqi, Isak Bala e Gëzim Mema, për djem, e V. Tufi, S. Hoti, dirigjent, formuan, një ekip ideal të një Vllaznie kampione. Protagonisti ynë, pjesë elite e këtij shkrimi, e një kampion e rekordmen i garave të shpejtësisë, lind në Shkodër më 16.08.1969, në lagjen Dergut, afër pellgut pranë stadiumit “Vojo kushi”, pjellë e shumë talenteve. Sot ajo rrugë mban emrin e dëshmorit të demokracisë “Nazmi Kryeziu” dhe ky një talent i atletikës shqiptare, i vrare nga një dorë e “zezë” me 2 prill 1992. Jo pa qëllim, po shkruaj për Oltin, se ai i përket pellgut tim pranë stadiumit, aty ku kam lindur e jam rritë, ajo lagje kish shumë, kampionë.

Hapat e parë të karrieres dhe rritja e kampionit e rekordmenit Oltion Luli

Olti ynë ka një histori interesante në këtë sport. Ai nuk e nisi me ekipet me moshat zinxhirë, te “Vllaznia”, por në moshë 18-vjeçare kur ishte maturant te shkolla “Oso Kuka. Aty ai spikati si një talent i lindur në spartakiadën e shkollave të mesme zhvilluar në qershor të vitit 1987 në Tiranë, e shpallet kampion me shifrat rekord për 18-vjeçarët, 11.4 sekonda. Aty ai fiksohet nga Isak Bala, i cili, pa mëdyshje e afron pranë ekipit kampion “Vllaznia”. Trajneri Bala e kupton se po stërvit një talent të lindur e të vërtetë dhe ashtu ndodhi.

Ka kenë tetori i viti 1987, kur Oltioni për herë të parë na shfaqet në pedanën e stadiumit “Vojo Kushi”, në garat e kampionatit kombëtar. Në ato gara, ai shpallet për herë të parë Kampion Kombëtar, me shifra rekord në 100 metra, 10.09 sekonda. Garat e tij të preferuara kanë qenë garat e sprintit 100 e 200 metra, të gjitha kanë përfunduar me rekorde, mbetur të pa prekur për 25 vite me radhë. Përfundon me sukses dhe universitetin Luigji Gurakuqi, në degën “Gjuhë Letërsi” dhe saldohet përfundimisht te Vllaznia, duke i mbetur besnik përfundimisht deri në fund të karrierës Shkodrës së tij, e klubit emblemë të qytetit, “Vllaznisë” .


Majat e karrierës

Në çdo kronike e të kohës, në garat e shpejtësisë, në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare, ai shpallej gjithnjë kampion e rekordmen, duke valëvitur kudo flamurin tonë kombëtar. Gjatë karrierës së tij, ai regjistron 29 tituj kampion e mbi 70 rekorde kombëtare të përmirësuara në të gjitha garat. Si një atlet kalibri ai ka nderuar vendin tonë në Luksemburg, në Kupën e Kampionëve, duke rrëmbyer 5 medalje. 1 ari, në 100 e 200 metra. 1 argjendi e 1 bronzi.

Në vitin 1988, është i 4-ti ndër 10 sportistët e vendit dhe anëtar i ekipit tonë kombëtar të atletikës. Po atë vit ai shkon në Beograd, në kampionatin ballkanik, e shpallet kampion në garën e tij të preferuar 100, metra, me kohën fenomenale, rekord për atletikën shqiptare, 10.66 sekonda, e pas disa kohësh në Sofje, ai shpallet përsëri kampion e përmirëson rekordin në 200 metra me kohën 21.05 sekonda. Olti ynë, si një elitar në mbretëreshën e sporteve, është shpallur ndër sportistët më të mirë të shekullit XX në atletikë.

Ai është 2 herë fitues i anketës 10 sportistët me të mirë shqiptarë, organizuar nga “Sporti Popullo”. Për rezultatet e tij të shkëlqyera, e si pjesë e ekipit tonë kombëtar ai merr pjesë në Lojërat Olimpike “Sidnej 2000”, mes emrave të shquar, si Ilir Suli, Klodiana Shala e Diana Mata. Në ato gara ai zë vendin e 4-t duke thyer rekordin kombëtar me kohën 10.03 sekonda. Në vitin 2001, vetëm 32 vjeç, ai largohet përfundimisht nga atletika, duke lenë nga pas një histori brilante e të lakmuar për çdo atlet të garave të shpejtësisë.

Si një talent i lindur, ai trashëgonte në genin e tij familjar personalitet intelektual, nga prindërit, ndaj kjo i dha një shtysë të mëtejshme në këtë aspekt ku shërbeu për vite me radhë në edukimin e brezit të ri. Për vlerat e tij intelektuale, ai është anëtarë i Komitetit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Atletikës, për 12 vite me radhë, duke dhënë një shembull pozitiv për brezin e ri. Sot, e për 4 vite me radhë, ai do drejtojë këshillin e bashkisë Shkodër i zgjedhur unanim me 100% të votave nga anëtarët e këshillit, pa dallime partiake.

Faik SADIKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img