Futboll Femra-Vllaznia mund Kukësin thellësisht 8-0. Megi Doçi mbërrin shifrën e 600 golave me Vllazninë. Skuadra kuqeblu kryeson e vetme renditjen me 18 pikë të plota

Vllaznia-Kukësi 8-0 (Shënuese: Franja(2), Doçi(3), Shala(2), Kodra)  

Vllaznia-Kukësi, 8 me 0. Ky është rezultati i regjistruar në ndeshjen e sotme luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës. Fitore kjo e gjashta radhazi duke bërë që Vllaznia të shkojë në kuotën e 18-të pikëve duke qënë e vetme në kryesimin e kampionatit kombëtar me 18 pikë të plota.

Për skuadrën kuqeblu, sfida e sotme e vlefshme për javën e gjashtë të Kampionatit Kombëtar, ishte si një tip testi për ndeshjen ndërkombëtare që Vllaznia do të luajë mesjavën e ardhshme në Paris për fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll femra.

Ishte kjo arsyeja që tekniku Nikolin Leka hodhi në fushën e lojës formacionin më të mirë, me të cilin do të përballet me kampionet pariziene të mërkurën e ardhshme. Një ndeshje, e cila që nga fillimi dhe deri në fund u dominua nga skuadra shkodrane, që në fakt, edhe pse kishte përballë një kundërshtar me emrin e Kukësit, i gjithë formacioni i kësaj skuadre të drejtuar nga futbollistja e njohur e Juban Danjes, Paola Jaku, ishte i përbërë nga futbolliste shkodrane, pjesë e ekipit të Murlanit të mëparshëm.

Tetë golat e shënuar nga Vllaznia në portën e Kukësit, kanë për autore: kapitenen Esmeralda Franja(2), Megi Doçi(3), Jehona Shala(2), dhe Arlinda Kodra.

E veçanta e kësaj ndeshje ka të bëjë me faktin se me tre golat e shënuar sot ndaj Kukësit, sulmuesja e Vllaznisë, Megi Doçi ka mbërritur në kuotën e 600 golave të shënuar me uniformën kuqeblu. Një shifër kjo rekord për futbollin shqiptar, por edhe më tej, në arenën ndërkombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu