Do të luhet këtë fundjavë java e katërt e kampionatit ‘Abissnet Superiore’ për vajza. Të pesta sfidat e kësaj jave do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën, teksa spikat pa dyshim derbi kryeqytetas Partizani – Tirana. Kjo ndeshje e rëndësishme është planifikuar të luhet të shtunën në ora 14:00, në stadiumin ‘Arena e Demave’. Vajzat bardheblu kanë marrë tre fitore në po kaq javë kampionat, teksa Partizani numëron vetëm dy fitore dhe një humbje.
Sakaq, të shtunën do të luhen edhe dy sfida të tjera. Vllaznia pret në shtëpi ekipin e Lushnjes, një ndeshje e lehtë në letër për kampionet në fuqi të vendit. Takimi është planifikuar të nisë në ora 14:30. Nga ana tjetër, po të shtunën do të zhvillohet edhe sfida Laçi – Teuta. Laçjanet do të kërkojnë fitoren e parë në këtë sezon futbollistik, ndërsa bregdetaret vijnë në këtë sfidë pas fitores së marrë javën e kaluar ndaj Lushnjes. Ndeshja është programuar të nisë në ora 14:00.
Të dielën do të luhen edhe dy takimet e tjera të javës së katërt. Kinostudio do të udhëtojë drejt Fierit për përballjen e radhës ndaj Apolonisë. Kryeqytetaset e kanë nisur më së miri këtë sezon, duke mos pësuar asnjë humbje, ndërsa fieraket u mposhtën javën e fundit nga Tirana në ‘Selman Stermasi’ dhe do të kërkojnë kthesën në këtë sfidë. Ndeshja është planifikuar të luhet në stadiumin ‘Loni Papuçiu’ në Fier në ora 12:00. Takimi i fundit i kësaj jave është ai mes Gramshit e Skënderbeut, që do të luhet në Gramsh duke nisur nga ora 14:00.
Ndeshjet e javës së katërt:
Partizani – Teuta, e shtunë, ora 14:00
Laçi – Teuta, e shtunë, ora 14:00
Vllaznia – Lushnja, e shtunë, ora 14:30
Apolonia – Kinostudio, e diel, ora 12:00
Gramshi – Skënderbeu, e diel, ora 14:00