Saturday, July 27, 2024

Vllaznia-Sulmi në krizë, shënon vetëm Balaj. Gruda, Çoba, Dodev dhe Mala, ende asnjë gol në këtë kampionat!

Lexo

Nëntë pikë, 9 gola të shënuar dhe 9 të pësuar! Vllaznia duket e fiksuar te shifra 9, ndërsa kanë kaluar tetë javë kampionat dhe ekipi mund dhe duhet të ishte i konsoliduar tashmë. Skuadra është shumë larg pritshmërive, me vetëm dy pikë më tepër nga vendi i fundit, në një kohë që të shtunën në Korçë ndaj Skënderbeut luan ndeshjen e javës së nëntë, që mbyll këtë fazë të parë.

Por, nëse shikon statistikat, ajo që vërehet lehtësisht te skuadra kuqeblu është fakti se përveçse pëson në çdo ndeshje, duket totalisht e varur nga sulmuesi i saj kryesor, Bekim Balaj. Nga nëntë gola të shënuar, 6 i përkasin Balajt, ndërsa dy të tjerë mesfushorit Lorik Boshnjaku dhe një herë ka realizuar mbrojtësi Millosh Stojanoviç. Në këtë periudhë Vllaznia ka pasur probleme të mëdha me dëmtimet, por ajo që duhet thënë është se shumë nga lojtarët kanë pasur luhatje të frikshme në formën e tyre. Me rezultatet plot ulje-ngritje, tashmë ekipi është futur në presion dhe në Korçë ndaj Skënderbeut drejtuesit presin kthesën e menjëhershme.

KRAHËT – Mehdi Çoba, Ildi Gruda, Darko Dodev dhe Esat Mala, edhe pse shumë të rëndësishëm për skuadrën shkodrane, nuk kanë arritur të shënojnë asnjë gol në këto tetë javë kampionat. Të gjithë janë sulmues krahu, teksa përshtaten qoftë në të djathtë, ashtu edhe në të majtë. I vetmi që ndoshta mund të justifikohet për performancën e deritanishme është Mala, i cili ka bërë njeriun-asist në këto tetë javë, por duke luajtur më së shumti në mesfushë si një numër 10. Me Balajn që ka shënuar 70% të golave të skuadrës deri më tani, Vllaznisë i nevojitet padyshim zhbllokimi sa më shpejtë i sulmuesve të krahut. Nga shkodranët Çoba dhe Gruda, si dhe maqedonasi Dodev, stafi teknik dhe drejtuesit presin shumë.

Nga tre sulmuesit e krahut, vetëm Gruda ka qenë në fushë në të teta ndeshjet, ndërsa Çoba dhe Dodev në gjashtë takime. Golat e tyre do të ishin një vlerë e shtuar për Vllazninë aktuale, pasi jo vetëm do të ndihmonin ekipin në rezultate më të mira, por do të shtonin besimin te vetë lojtarët, të cilët luajnë nga krahët dhe përveçse duhet të mbështesin sulmuesin kryesor, Balaj, natyrisht që pritet edhe të realizojnë. Ndeshja e së shtunës është shans i radhës për të gjithë.

9 GOLA  të shënuar dhe po kaq të pësuar ka Vllaznia në këto 8 javë kampionat. Shënuesi më i mirë i skuadrës është sulmuesi Bekim Balaj me 6 gola, ndërsa Lorik Boshnjaku ka realizuar dy herë dhe Millosh Stojanoviç një herë.

Admir URUÇI 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img