Friday, April 26, 2024

Futboll Femra/ Fitojnë tre kryesueset Tirana, Vllaznia dhe Apolonia. Kuqeblutë mundin Teutën në transfertë 1-18

Lexo

Kampionati Kombëtar i Futbollit për femra ka luajtur sot tre nga ndeshjet e javës së tetë. Në fushë kanë qënë tre skuadrat kryesuese të kampionatit, Tirana, Vllaznia dhe Apolonia, të cilat që të tria kanë dalë fituese. Kësisoj, ato vijojnë të mbajnë pozitat e tyre në renditje, me skuadrën bardheblu në vend të parë, të ndjekur me dy pikë më pak nga Vllaznia dhe Apolonia me pikë të barabarta. Për informacion të lexuesve, duhet theksuar se duke qënë një kampionat me numër tek të ekipeve pjesëmarrëse, Tirana, akoma nuk e ka konsumuar javën e pushimit, moment që kur ta ketë stacionin e ndalesës, kreu i renditjes mund të ketë ndryshime në krye.

Referuar ndeshjeve të luajtura sot, spikat Vllaznia që regjistron rezultat tenistik duke mundur Teutën në transfertë me rezultatin 1-18. Fitore kjo për skuadrën kuqeblu, e cila vjen pas asaj të realizuar javën e kaluar ndaj Lushnjes po në transfertë me rezultatin 0-14.

Për skuadrën kuqeblu të drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, 8 gola në këtë ndeshje i shënoi Megi Doçi që duke i shtuar edhe 5 të tjerë ndeshjen e kaluar në Lushne, shifra për dy ndeshje shkon në 13 gola. Golat e tjerë në ndeshjen e sotme ndaj durrsakeve u shënuan nga Lufo e Gjini me nga 3 të tillë, ndërkohë që në listën e golashënueseve ishin edhe Franja me dy gola e Vrucaj dhe Blinishta me nga një gol ndërsa vulën për realizimin e vetëm të durrsakeve e mban Kacorri.

Ekipi bardheblu fitoi derbin e kryeqytetit ndaj Tirana AS, me ndeshjen që u luajt paraditen e sotme në Kamëz. Ishin bardheblutë ato që kaluan fillimisht në avantazh me Cokën, ndërsa më pas shënoi edhe Gjoni. Pak minuta para mbylljes së pjesës së parë, Kasa ngushtoi rezultatin, por Tirana përgjigjet brenda dy minutave, duke shënuar edhe golin e tretë me Maxhalakun. Në pjesën e dytë, futbollistja e Tiranës realizon dopietë dhe vulos rezultatin 1-5, me bardheblutë që kanë marrë 7 fitore në 7 ndeshje të luajtura, duke kryesuar me pikë të plota.

Ndërkaq, Apolonia ka fituar me rezultatin e thellë 12-0 ndaj Kinostudios në shtëpi, me një lojë të dominuar totalisht nga fieraket. Egzona Gashi ka arritur të shënojë 5 gola në këtë sfidë, ndërsa Liridona Gashi e Troka ndajnë nga një tripletë secila si dhe një gol i shënuar nga Marinela Mema. Apolonia vijon kështu me rezultatet pozitive, ndërsa renditet në vendin e tretë me 19 pikë, po aq sa Vllaznia e vendit të dytë.

Sipas informacionit të FSHF-së, dy ndeshjet e tjera mes KF Murlani – Partizani dhe Atletic Klub – Lushnja janë shtyrë për shkak të kushteve atmosferike.

Tirana AS 1-5 Tirana

Apolonia 12-0 Kinostudio

Teuta 1-18 Vllaznia

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img