Kampionati i femrave do të zhvillojë ndeshjet e javës së nëntë në dy ditë. Katër ndeshje do të zhvillohen nesër, ndërsa të dielën do të luhet ndeshja e fundit e javës. Supersfida Tirana – Vllaznia do të jetë kryefjala e kësaj jave të nëntë, me klasiken e futbollit shqiptar që do të luhet në kryeqytet duke nisur nga ora 13:30. Një sfidë që pa dyshim do të prodhojë lojë të bukur, me bardheblutë që gjenden në krye të renditjes, ndërsa shkodranet janë në vendin e dytë me 2 pikë më pak.
Ndërkaq, në të njëjtën orë, drejt Durrësit do të udhëtojë një tjetër ekip verior, Atletik Club, që do të ketë përballë KF Teutën. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat, që do të luftojnë për të marrë një fitore. Nga ana tjetër, Skënderbeu do të luajë ndeshjen e radhës kundër KF Murlanit. Korçaret vijnë pas pushimit një javor për shkak të kalendarit të paracaktuar, ndërsa shkodranet pësuan humbje në javën që lamë pas nga Partizani. Ndërkohë, këto të fundit do të luajnë ndaj Tirana AS, një ndeshje që gjithashtu do të prodhojë emocione, kjo edhe për vetë faktin se është një derbi kryeqytetas. Sfida nis në ora 15:30 dhe do të zhvillohet në Kamëz.
Ndeshja e fundit e javës do të zhvillohet të dielën, një sfidë gjithashtu e veçantë, pasi është “derbi i myzeqareve”. Lushnja do të presë në stadiumin “Roza Haxhiu” ekipin e Apolonisë, që është edhe këtë sezon pretendente kryesore për titull, teksa nuk ka pësuar asnjë humbje në kampionat deri më tani. Sfida do të luhet në mesditën e së dielës, duke nisur nga ora 13:30.
Sakaq, u zhvilluan këtë mesjavë edhe dy ndeshjet e prapambetura të kampionatit që ishin shtyrë nga Departamenti i Garave në FSHF për shkak të kushteve të motit. Partizani fitoi në Shkodër, teksa mundi KF Murlanin në transfertë me shifrat 1-3, ndërsa Atletik Club regjistroi një fitore 4-0 ndaj ekipit të Lushnjes.
Ndeshjet e javës së nëntë:
E shtunë Tirana – Vllaznia, ora 13:30
E shtunë KF Teuta – Atletik Club, ora 13:30
E shtunë Skënderbeu – KF Murlani, ora 14:00
E shtunë Partizani – Tirana AS, ora 15:30
E diel Lushnja – Apolonia, ora 13:30