Kampionati Kombëtar i futbollit për femra luan sot javën e dytë. Tre skuadrat e Shkodrës, Vllaznia dhe AAS do t’i luajnë ndeshjet në fushat e tyre, Vllaznia pret Tiranën dhe AAS ekipin tjetër privat të kryeqytetit Tirana AS, ndërkohë që Juban Danja është mysafire në Tiranë për t’u ndeshur me Partizanin vendas. Futbollistët e AAS të drejtuara nga trajneri Ditmir Rakaj do të startojnë të parat, në orën 13.00, ndeshje kjo që luhet në kompleksin sportiv “Hasaj”. Më pas, natyrisht që vemendja kryesore do të përqëndrohet në stadiumin “Loro Boriçi” me kryesfiden e kësaj jave, Vllaznia-Tirana, e cila starton në orën 14.00. Të kontaktuar në pragndeshgje nga Veriu Sport, kapitenia kuqeblu Esmeralda Franja dhe zv.trajneri Arben Parmeza shprehen të bindur në suksesin e skuadrës kuqeblu. Në këtë sezon futbollistik, risia është përfshirja edhe e disa klubeve të Superiores me ekipe femrash çka pritet të shtojë rivalitetin për fitimin e titullit kampion, mes të cilave është edhe Tirana e mbështetur nga presidenti Refik Halili. Por, në kampin kuqeblu mendojnë ndryshe. Futbolliset, trajnerët Nikolin Leka dhe Arben Parmeza, përfshirë edhe presidentin Lazër Matija, deklarojnë hapur, se me punën serioze në proçesin stervitor dhe elementin elementin cilësor që kanë në dispozicion, as që e mendojnë ta lëshojnë nga duart titullin kampion që e kanë pronë të tyre prej dhjetë vitesh. Kujtojmë që në javën e parë të kampionatit, të tre ekipet e Shkodrës dolën fitues në ndeshjet e tyre, Vllaznia fitoi në transferte me rezultatin 0 me 9 ndaj Lushnjes, AAS mundi në shtëpi Bilishtin 6 me 0 dhe Juban Danja fitoi në shtëpi me rezultatin 3 me 0 ndaj Teutes. Ps javës së dytë të kampionatit, Vllaznia rikthehet në ballafaqimet europiane, kur të enjten pret në stadiumin “Loro Boriçi” kampionen e Bjellorusisë, Minsk.