Saturday, November 23, 2024

Futboll Femra/ Mbyllet Java e 16-të, Vllaznia thellon diferencen Apoloninë ndjekëse. Derbin e kryeqytetit Tirana-Partizani e fitojnë bardheblutë

Lexo

Është mbyllur java e 16-të e kampionatit të femrave, që ka prodhuar ndeshje mjaft interesante. Vllaznia duket se është tashmë drejt titullit të nëntë kampion, teksa së fundmi ka arritur të mundë rivalen kryesore për titull, Apoloninë. Në sfidën e zhvilluar në Shkodër, në stadiumin “Reshit Rusi”, shkodranet kanë mundur me poker fieraket, me ndeshjen që zgjati barazim vetëm për 28 minuta. Berisha zhbllokoi rezultatin minutën e 28-të për Vllazninë, ndërsa në pjesën e dytë, verioret do të realizonin edhe tri gola të tjerë, me Esmeralda Franjën, Megi Doçin e Esi Lufon.

Një fitore që është mjaft e rëndëishme për Vllazninë, që shkëputet kështu 5 pikë nga vendi i dytë që mbahet tashmë nga skuadra e Tiranës, pasi mposhti në derbi ekipin e Partizanit. U zhvillua ditën e sotme kjo ndeshje e rëndësishme e kampionatit të femrave, që gjithmonë sjell tifozë e emocione në fushë. Vajzat bardheblu ishin të parat që kaluan në avantazh me Vishkullin, që në minutën e 7-të të takimit, teksa Partizani arriti të barazojë rezultatin në minutën e 29-të me Tabakun. 1-1 u mbyll fraksioni i parë i lojës, teksa 13 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Ago dyfishoi shifrat për Tiranën. Pak minuta zgjati gëzimi në kampin bardheblu, teksa nga pika e bardhë e penalltisë Begallo barazoi rezultatin në 2-2. Heroina e kësaj ndeshjeje ishte Vishkulli, e cila realizoi edhe golin e tretë të sfidës, duke vulosur rezultatin dhe duke i dhënë tre pikët Tiranës, në një ndeshje të rëndësishme për të dyja ekipet.

Sa u përket ndeshjeve të tjera, në derbin tjetër kryeqytetas, Kinostudio mundi gjithashtu me poker skuadrën e Tirana AS. Baftia me dy golëshin e saj, Cyme Lulaj e Kuim i dhanë tre pikët Kinostudios në këtë sfidë. Një fitore që i mban kryeqytetaset vetëm tre pikë larg Murlanit të vendit të pestë, që këtë javë fitoi me shifrat e thella 8-0 në Shkodër, duke mundur skuadrën e Lushnjes, që këtë edicion nuk ka treguar një formë të mirë, teksa renditet në fundin e klasifikimit. Protagonistet e golave për ekipin verior ishin Ferreira dos Santos me tripletë, teksa Vasa arriti të realizojë një dy golësh. Gjergji, Luiz Kabral e Tanushi lanë gjithashtu gjurmët e tyre në këtë fitore të rëndësishme për skuadrën e tyre. Edhe Teuta mori një fitore të rëndëishme në transfertën e Korçës, ku mundi Skënderbeun me shifrat 1-4. Kjo sfidë u duk se u mbyll që në 20 minutat e para, teksa Bushi, Delilaj dhe Zotkaj realizuan shumë shpejt për bregdetaret. Potomi ngushtoi rezultatin për juglindoret, por pa ndryshuar fatin e lojës. Puca në fund realizoi edhe golin e katërt për Teutën, duke vulosur rezultatin dhe duke u kthyer në Durrës me tre pikë.

 

Rezultatet pas javës së 16-të:

Vllaznia 4-0 Apolonia

Tirana AS 0-4 Kinostudio

Murlani 8-0 Lushnja

Skënderbeu 1-4 Teuta

Partizani 2-3 Tirana

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img