Lushnja-Apolonia, ishte ndeshja e fundit e luajtur për llogari të javës së nëntë të Kampionatit Kombëtar të futbollit, e cila përfundoi me fitoren e fierakeve me rezultatin 0-7. Ka qënë një derbi myzeqar ku Apolonia arriti fitoren e thellë falë golave të shënuar nga Egzona Gashi triplet, ndërkohë që tjerët u shënuan nga Tukaj, Hamonikaj, Iliadhi dhe Liridona Gashit. Apolonia renditet tashmë në vendin e dytë, në të njëjtën kuotë pikësh, po aq sa Vllaznia, e cila kryeson kampionatin falë goleverazhit më të mirë.
Përgjithësisht ka qënë një javë emocionuese në kampionatin kombëtar të futbollit të femrave me dy derbi dhe një klasike e futbollit shqiptar, tashmë edhe te femrat kanë qenë kryefjala e kësaj jave në kampionat.
Në ndeshjet e luajtura një ditë më parë, Tirana ka gjetur humbjen e parë në kampionat këtë fundjavë, me kryeqytetaset që u ndalën nga kampionet aktuale të Vllaznisë. Një humbje e hidhur për bardheblutë, të cilat pësuan shtatë gola që në pjesën e parë të takimit, teksa në fraksionin tjetër të lojës shkodranet shënuan edhe një golin e fundit që vulosi rezultatin 0-8.
Nga ana tjetër, Partizani vijon me ecurinë pozitive, teksa në derbin kryeqytetas ndaj Tirana AS ka arritur të fitojë me shifrat 5-0. Dopietat e Begallos dhe Locit dhe goli i Tabakut i dhanë tre pikët të kuqeve, që barazojnë me pikë ekipin e Tiranës, me 21 pikë, teksa Tirana AS ka pësuar një tjetër humbje, ndërsa ka marrë vetëm tre pikë në 8 javë kampionat.
Një tjetër ndeshje e fortë është luajtur në Durrës, mes Teutës dhe Atletik Club, me sfidën që u mbyll me rezultatin 2-3. Ishin shkodranet ato që kaluan të parat në avantazh me Armokun, por festa zgjati pak minuta pasi durrsaket barazuan dhe kaluan në epërsi po në pjesën e parë me Bushin dhe Pucën. Në fraksionin e dytë, Armoku barazoi shifrat në 2-2, ndërsa autogoli i Nacit në portën e saj do të sillte buzëqeshje te shkodranet, të cilat morën një trepikësh me vlerë në transfertën e Durrësit.
Në ndeshjen tjetër të kësaj të diele, Murlani fitoi në transfertën e Korçës, ndërsa mundi Skënderbeun me shifrat 1-4. Shkodranet kaluan që në minutat e para në epërsi me Ndocin, teksa në pjesën e dytë shënuan edhe Vishkulli e Vasa, e cila shënoi dy gola. Një fitore që i jep tre pikë skuadrës së Murlanit dhe renditet në vendin e pestë me 13 pikë.
Më poshtë rezultatet e ndeshjeve të javës së nëntë:
KF Teuta 2-3 Atletik Club
Tirana 0-8 Vllaznia
Partizani 5-0 Tirana AS
KF Skënderbeu 1-4 Murlani
Lushnja 0-7 Apolonia