Kampionati ‘Abissnet Superiore’ për vajza do të rikthehet të luajë javën e 5-të nga këtë fundjavë, pas shkëputjes disa ditore për shkak të angazhimit të futbollisteve me ekipet kombëtare A dhe U-19 në kompeticionet europiane.
Dy pretendentet për titull, Vllaznia e Tirana kanë takime të lehta në letër për këtë javë. Tirana pret në shtëpi Gramshin, me bardheblutë që kërkojnë të vazhdojnë me ecurinë pozitive e të mos gabojnë. Nga ana tjetër, gramshiotet do të kërkojnë surprizën ndaj Tiranës. Ndeshja do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 14:00 në kompleksin ‘Skënder Halili’.
Sakaq, po të shtunën do të luhen edhe dy sfidat e tjera të javës. Shkodranet do të udhëtojnë drejt Korçës, aty ku do të përballen me ekipin e Skënderbeut. Kampionet aktuale kërkojnë tre pikët e radhës ndaj një kundërshtari si Skënderbeu, teksa sfida është programuar të luhet në ora 12:00.
Takimi tjetër i të shtunës është ai mes Teutës e Apolonisë. Fieraket kërkojnë të marrin fitoren e katërt në këtë edicion futbollistik ndaj Teutës, teksa ky takim është programuar të luhet në Durrës në ora 10:00.
Një nga sfidat më interesante të javës është pa dyshim derbi kryeqytetas Kinostudio – Partizani, që do të luhet të dielën. Të dyja ekipet kanë shfaqur formë të mirë në këtë fillim sezoni dhe kërkojnë të vijojnë me paraqitjet e mira.
Ndeshja do të luhet të dielën në ora 10:00. Po të dielën do të luhet edhe sfida tjetër e javës së 5-të Lushnja – Laçi. Këto të fundit duan të surprizojnë Lushnjen në stadiumin ‘Roza Haxhiu’ dhe të marrin një tjetër fitore në kampionat pët këtë sezon. Takimi do të zhvillohet në ora 14:00.
Java e pestë e kampionatit ‘Abissnet Superiore’ për vajza:
Tirana – Gramshi, e shtunë, ora 14:00
Skënderbeu – Vllaznia, e shtunë, ora 12:00
Teuta – Apolonia, e shtunë, ora 10:00
Kinostudio – Partizani, e diel, ora 10:00
Lushnja – Laçi, e diel, ora 14:00