Shqipëri-Letoni 3-1 (Shënuese: Borçi 9’, Fuçia 20’, Kodra 24’)
Formacioni i Shqipërisë: Spaho, Tori, Maxhalaku, Iliadhi, Troka, Çoka, Mema, Borçi, Kodra, Toma dhe Fuçia. Trajner: Kreshnik Krepi
Janë luajtur sot dy ndeshjet e para të Grupit B në Eliminatorët e Kampionatit Europian U-19 për femra, që po zhvillohen në Shqipëri. Kombëtarja shqiptare U-19 për femra e drejtuar nga trajneri shkodran, Kreshnik Krepi, e ka filluar me këmbën e mbarë pasi mundi Letoninë me rezultatin 3-1 në sfidën e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Një paraqitje shumë e mirë e vajzave kuqezi që dominuan gjithë kohës dhe morën tre pikë të merituara.
Trajneri Kreshnik Krepi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Spaho, Tori, Maxhalaku, Iliadhi, Troka, Çoka, Mema, Borçi, Kodra, Toma dhe Fuçia.
Vajzat kuqezi e tregojnë që në minutat e para epërsinë, duke iu afruar portës kundërshtare dhe gjejnë golin e avantazhit në minutën e 9-të me anë të Klaudia Borçit që nuk fal brenda zonës nga një ditancë e afërt. Përfaqësuesja shqiptare shfrytëzon momentin e mirë dhe vazhdon të sulmojë, duke rrezikuar disa herë. Në minutën e 20-të është Bora Fuçia e cila me një gjuajtje të fortë nga distanca mund portieren letoneze dhe shënon golin e dytë. Shqipëria e vajzave nuk mjaftohet me kaq dhe në minutën e 24-t gjen edhe golin e tretë me anë të Arlinda Kodrës pas një këmbëngulje në zonë.
Pjesa e parë mbyllet me epërsinë 3-0 të vajzave kuqezi, që kishin edhe raste të tjera për gol siç ishte traversa e goditur nga Iliadhi me një goditje nga distanca. Pjesa e dytë është më e balancuar me të dyja skuadrat që kanë raste për shënim, por pa gjetur rrugën e rrjetës. Në minutën e 83-të Shqipëria mbetet me 10 lojtarë pasi mbrojtësja Rexhina Maxhalaku ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe automatikisht me karton të kuq pas një faulli në mesfushë. Letonia arrin të gjejë golin e nderit në minutën e 91-të me anë të sulmueses Evelina Uspalevica.
Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur në stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës, Rumania fitoi thellësisht ndaj Armenisë me rezultatin 8-0 me gola të shënuar nga Horvath (2), Jivan, Borodi, Bratu, Pînzariu, Botojel dhe Sigheartau. Rumania së bashku me Shqipërinë kryesojnë grupin pas ndeshjeve të para.
Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri, në datat 5, 8 dhe 11 tetor. Tre ditë më vonë, vajzat kuqezi do të përballen me Rumaninë, po në ora 14:30 në stadumin “Elbasan Arena”.
Sfida e tretë dhe e fundit e Shqipërisë U-19 për vajza do të jetë kundër Armenisë, më 11 tetor në stadiumin “Elbasan Arena”, në ora 14:30.
Ndërkaq, ndeshjet e tjera të grupit, të ekipeve mike do të zhvillohen në impiantin tjetër modern shqiptar, “Egnatia Arena” në Rrogozhinë.