Saturday, April 13, 2024

Futboll Femra-Trajneri i kombëtares, Armir Grima flet para grumbullimit-Botërori 2023: Sfidojmë dy ekipet më të forta të grupit, luajmë pa frikë

Lexo

Kombëtarja e femrave nis këtë të mërkurë grumbullimin dhe përgatitjet për dy ndeshjet zyrtare të eliminatoreve të Botërorit 2023. Trajneri Armir Grima ka ftuar 20 futbolliste për këto sfida, me të parën që luhet më 1 shtator ndaj Polonisë në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa më pas përfaqësuesja shqiptare do të udhëtojë drejt Norvegjisë për sfidën përmbyllëse të kualifikueseve më 6 shtator.

Tekniku kuqezi shpreson që i gjithë grupi të jetë në formë optimale dhe thekson se skuadra do të synojë rezultate pozitive, ndonëse është i ndërgjegjshëm se përballë do të kemi dy nga rivalet më të forta të grupit. Gjithashtu, Grima në prononcimin e tij për Fshf.org flet edhe për procesin e rinovimit të grupit si edhe për përgatitjet që do të vijojnë pas eliminatoreve të Botërorit.

Situata e ekipit – “Grupi është thuajse i plotë, edhe pse kemi mungesa që ndikojnë pak, por si gjithmonë kemi mundësi për t’i zëvendësuar si duhet me vajzat e tjera. Në këtë fazë të vitit ajo që më shqetëson pak është gjendja fizike e vajzave, pasi vijmë nga një periudhë pushimesh. Normalisht vajzat që vijnë nga skuadra e Vllaznisë janë mirë në aspekte pasi i kanë nisur prej kohësh përgatitjet dhe janë në aktivitete, ndërsa pjesa tjetër e grupit janë për t’u parë se në çfarë gjendje fizike do të vijnë. Ne kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm dhe e dimë që edhe vajzat që nuk kanë nisur aktivitetin me klubet e tyre janë stërvitur rregullisht, shpresojmë shumë që të jenë në formë sa më optimale fizike”.

Objektivat e dy sfidave – “Në fakt përpara kemi dy ndeshjet më të vështira të grupit, por duke qenë se ne i kemi arritur tashmë objektivat që kishim në fillim të eliminatoreve, për pozicionin në renditje dhe pikët e grumbulluara, që janë një rekord për Kombëtaren e femrave, uroj që vajzat të mos jenë në trysninë e madhe të rezultatit dhe të luajnë pa frikë duke dhënë maksimumin e tyre. Nuk kemi pse të mos synojmë edhe rezultate pozitive, veçanërisht në ndeshjen me Poloninë mendoj se kemi më shumë shanse edhe për faktin se luajmë në shtëpi dhe do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve. Por edhe me Norvegjinë ne do të synojmë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë”.

Rinovimi i grupit – “Në përfundim të eliminatoreve do të vijojmë punën me skuadrën, e para për të ruajtur grupin e lojtarëve që kemi në dispozicion, por edhe për të afruar lojtare të reja gradualisht. Aktualisht presim që të pajisen me pasaporta shqiptar edhe dy vajzat e tjera, Fortesa Berisha dhe Vesa Paqarizi, për të cilat mendoj se janë futbolliste të perspektivës. Ne jemi vazhdimisht duke monitoruar situatën dhe për të gjetur futbolliste cilësore për të rinovuar sa më shumë ekipin. Bazën që kemi duhet ta ruajmë gjithsesi, pasi mendoj se është një grup i stabilizuar tashmë dhe që ka marrë shumë eksperiencë”.

Përgatitjet post-Botërorit – “Mbështetja që ofron FSHF për Kombëtaren e femrave, por edhe për futbollin e femrave në përgjithësi, është shumë e madhe dhe duke pasur këtë mbështetje mendoj se kemi mundësi ta shfrytëzojmë periudhën në vazhdim deri në fund të vitit për të organizuar seleksionime e ndeshje miqësore në mënyrë që të testojmë sa më shumë futbolliste, por edhe për të mbajtur në formë grupin deri në eliminatoret e ardhshme të kompeticioneve ndërkombëtare. Jemi duke përgatitur një program për periudhën pas eliminatoreve dhe po organizohemi që të kemi disa grumbullime dhe testime të ndryshme”.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img