Friday, April 26, 2024

Futboll Femra-Vllaznia mund 8-0 Partizanin në javën e 10-të dhe shpallet kampione dimri

Lexo

Është mbyllur java e 10-të e kampionatit të futbollit të femrave, që përkon edhe me ndeshjet e fundit për këtë vit futbollistik.

Nuk ka surpriza nga kryesueset, Vllaznia e Apolonia, me dy skuadrat që morën nga një fitore të thellë duke mposhtur përkatësisht Partizanin dhe Teutën. Shkodranet mundën në shtëpi skuadrën kryeqytetase me shifrat 8-0, duke e dominuar takimin, me Esi Lufon, e cila hapi serinë e golave, për të vijuar më tej me Zarkën dhe dopietën e Gjinit në pjesën e parë. Ndërkaq, Megi Doçi vulos një tjetër tripletë, ndërsa në minutën e 90-të, shkodranet shënojnë edhe golin e tetë, për ta mbyllur kampionatin në vendin e parë dhe duke siguruar kështu titullin simbolik, si kampione dimri edhe për këtë vit.

Apolonia – Teuta ishte “një fotokopje” e ndeshjes Vllaznia – Partizani, me fieraket që gjetën 8 herë rrjetën e durrsakeve. Troka, Demiri, Gashi, Ndoj, Biraku e Xhindole shënuan emrin e tyre si golashënuese në këtë sfidë, teksa kishte vend në këtë sfidë edhe për një dopietë të Klea Hamonikajt. Apolonia renditet në vendin e dytë momentalisht, me të njëjtën kuotë pikësh sa edhe Vllaznia e vendit të parë.

Sakaq, në ndjekje të kryesuesve vijon të jetë Tirana, që mori një fitore të vyer sot në Shkodër ndaj Atletik Club. Mjaftoi goli i Jehona Cokajt për t’i dhënë tre pikët bardhebluve, që ndodhen tashmë në vendin e tretë, në kuotën e  24 pikëve, me vetëm një humbje dhe tetë fitore.

Kinostudio mposhti me poker Lushnjen në Kamëz, me dy gola të Cyme Lulajt dhe nga një gol të Hidës dhe Kadiollit, fitore që i ngjit kryeqytetaset në vendin e gjashtë, në kuotën e 13 pikëve.

Tirana AS – Skënderbeu përfundoi në barazimin 1-1, me korçaret që kaluan të parat në epërsi me Potomin, ndërsa për të balancuar ndeshjen mendoi Koldashi, e cila shënoi golin e baraspeshës në minutën e 74-t. Tirana AS renditet në vendin e 10-të, me vetëm 4 pikë të grumbulluara, një më pak se Skënderbeu i vendit të nëntë.

Më poshtë rezultatet e ndeshjeve të javës së 10-të dhe renditja:

Vllaznia 8-0 Partizani

Apolonia 8-0 KF Teuta

Atletik Club 0-1 Tirana

Tirana AS 1-1 Skënderbeu

Kinostudio 4-0 Lushnja

Renditja

Vllaznia 25 pikë

Apolonia 25 pikë

Tirana 24 pikë

Partizani 18 pikë

KF Murlani 13 pikë

Kinostudio 13 pikë

Atletik Club 10 pikë

KF Teuta 6 pikë

KF Skënderbeu 5 pikë

Tirana AS 4 pikë

Lushnja 3 pikë

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img