Vllaznia-Kukësi 6-0(Shënues: Kodra 7’, Borçi 15’, Berisha 19’, Doçi 47’, Shala 51’, Ramadani 69’)
Formacioni i Vllaznisë: Raxhimi, Vuksani, Maliqi, Alijaj, Ramadani, Doçi, Franja, Berisha, Borçi, Vrucaj, Kodra(U aktivizuan: Synaj, Shala, Gjini, Gjergji). Trajner: Nikolin Leka)
U luajtën këtë fundjavë ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë në futboll femra. Vllaznia e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka priti në stadiumin “Reshit Rusi” ekipin e Kukësit. Në sfidën e pare të luajtur në transfertë, futbollistet kuqeblu fituan me goleadë ndaj Kukësit, me shifrat 7-0. Ndërkohë, po me goleadë fitoi Vllaznia edhe në ndeshjen e kthimit, ku këtë radhë shifrat ishin 6 me 0.
Futbollistet kuqeblu, të cilat një ditë më parë u nderuan si ekip me çmimin “Pllakatë” për kualifikimin në 16-të më të mirat e Ligës së kampioneve të Europës, por edhe me dy trofe individualë të Megi Doçit, shënuan nga tre gola për secilen pjesë.
Dy futbollistet e reja që po aktivizohen me sukses nga trajneri Leka, Kodra dhe Borçi shënuan shumë shpejt dy golat e parë, përkatësisht në minutat 7-të dhe 15-të, për të vijuar edhe me golin e Berishës në të 19-tën minutë duke e mbyllur pjesën e parë me shifrat 3 me 0 për Vllazninë. Dy minuta nga fillimi i pjesës së dytë, është goleadorja Megi Doçi që e çon në 4 me 0 avantazhin e Vllaznisë. Për të fiksuar fitoren e thellë 6-0 mendojnë edhe Shala me Ramadanin, të cilat, përkatësisht në minutat 51-të dhe 69-të tundin rrjetën e portjeres mike, Palalej.
Me këtë fitore 6-0, duke i shtuar edhe atë të ndeshjes së parë luajtur në transfertë, 0-7, epërsia e Vllaznisë ndaj Kukësit shkon në epërsinë e rezultati 13-0, duke u kualifikuar në turin gjysëmfinal, aty ku gjen edhe tre ekipet e tjerë të kualifikuara, si Partizani, Tirana, e Apolonia.
Kualifikimi i Partizanit erdhi përmes një rivaliteti të fortë me ekipin tjetër kryeqytetas, Kinostudio, pasi për të kaluar në turin tjetër nuk mjaftoi koha e rregullt, madje as koha shtesë, ku në fund, përmes gjuajtjeve të penalltive, Partizani shkoi në gjysëmfinale.
Një kualifikim të lehtë, ashtu si edhe Vllaznia, realizoi edhe Tiranë, e cila me dy fitore radhazi, 9 me 2 ndeshjen e parë dhe 16-0 të dytën, me shifrat 25-2 kalon në turin tjetër gjysëmfinal.
Me dy fitore radhazi, 6-0 ndeshja e parë dhe 5-0 e dyta, në turin tjetër kualifikohet edhe Apolonia e Fierit duke eleminuar me shifrat e përgjithshme, 11 me 0, ekipin e Laçit.
Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë
Vllaznia – Kukësi (13-0)
Partizani – Kinostudio (5-5) (4-1 me penallti)
Tirana – Teuta (25-2)
Apolonia – Laçi (11-0)