Futboll Femra-Vllaznia, Tirana, Partizani, Kinostudio kualifikohen në gjysëmfinalet e Kupës së Shqipërisë

Tirana, Vllaznia, Partizani e Kinostudio do të jenë katër skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë për femra të këtij edicioni. Skuadrat në fjalë u kualifikuan pas ndeshjeve çerekfinale të luajtura të shtunën mes çifteve përkatëse, ku ndër to spikaste derbi shkodran, Vllanzia-Murlani. Ndeshja e zhvilluar në Kompleksin Sportiv “Zmijani” u dominua plotësisht nga skuadra kuqeblu, e cila e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka arriti të shënojë plotë shtatë gola në portën murlanase. Megjithatë, përpos rezultatit, trajneri i Murlanit Arben Parmeza u shpreh i kënaqur për paraqitjen e skuadrës së tij, e cila realisht ka vetëm pak muja që është formuar.  Kampionet në fuqi të Vllaznisë në futbollin e femrave kaluan shpejt në avantazh, me Megi Doçin, e cila shndërroi në gol një penallti të fituar në minutën e 9-të, teksa realizoi edhe një tjetër gol në minutën e 79-të. Golat e tjerë u shënuan nga Lufo, e cila realizoi një tripletë dhe Gjini, e cila shënoi dy gola, duke i dhënë fitoren e kualifikimin për në gjysmëfinale.

Sakaq, Partizani mundi ekipin e Teutës me shifrat 3-0. Të kuqet kaluan në avantazh në minutën e 38-të me Locin, e cila shënoi edhe golin e dytë në minutën e 55-të, teksa golin e tretë dhe të fundit për skuadrën kryeqytetase e realizoi Begallo. Kësisoj, skuadra durrsake eliminohet nga ky edicion i Kupës, me Partizanin që vijon rrugëtimin në këtë kompeticion.

Në kompleksin “Skënder Halili”, skuadra e Tiranës siguroi biletën për në gjysmëfinale pasi mundi Atletik Club me shifrat 3-0. Një ndeshje jo e lehtë për bardheblutë, të cilat arritën të zhbllokonin rezultatin vetëm në minutën e 42-të me Goron, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan edhe Metalla e më tej Goro realizon edhe golin e dytë personal e të tretin për skuadrën tiranase.

Ndërkaq, skuadra e katërt që ka siguruar gjysmëfinalen është Kinostudio, që ka kaluar në këtë fazë pasi sipas vendimit të marrë në qershorin e vitit 2021 nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës, skuadra e Apolonisë së femrave është përjashtuar nga gara në këtë edicion, për shkak të braktisjes së ndeshjes finale kundër Vllaznisë, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë për femra në edicionin e kaluar.

Ndërkaq, sipas skemës së përcaktuar, janë zbuluar edhe dy ndeshjet e fazës gjysmëfinale ku Tirana do të përballet me Kinostudion ndërsa në ndeshjen tjetër Partizani do të luajë ndaj Vllaznisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu