Përplasje brenda katërshes së parë, Besa pret Vorën, Flamurtari shkon në Krujë
Java e nëntë e Kategorisë së Parë do të ketë dy përballje midis skuadrave që mbajnë katër vendet e para. Spikat Besa kundër Vorës, ndërsa Flamurtari luan me Kastriotin. Të dyja ndeshjet do të transmetohen direkt në Radio Televizionin Shqiptar.
Java e nëntë e Kategorisë së Parë do të ofrojë një përballje direkt në luftën për një nga dy vendet e para që siguron ngjitjen në Abissnet Superiore. Të shtunën, në orën 14.00, Besa do të presë Vorën, me shpresën e kapërcimit në renditje, takim që do të transmetohet direkt në RTSH Sport. Vendasit mbajnë vendin e tretë, me 20 pikë, ndërsa miqtë mbajnë vendin e dytë me një pikë më tepër, po aq sa Flamurtari. Besa është skuadra e vetme që nuk njeh ende humbje, ndërsa Vora ka pesë fitore radhazi që nga humbja me Flamurtarin.
Vlonjatët, me shtatë fitore radhazi, do të vizitojnë Kastriotin, një tjetër takim që do të transmetohet direkt, në RTSH 2. Krutanët mbajnë vendin e katërt, por të shkëputur nga treshja e parë, me 13 pikë, megjithatë janë në luftë për një vend në play-off. Burreli, me vetëm një pikë më pak, ka shansin të forcojë pozitat, pasi pret Erzenin e vendit të fundit. Skuadra që mbyll gjashtëshen e parë, Pogradeci, pret Valbonën, ndërasa Lushnja e Kukësi, që kanë po aq pikë sa burrelasit, nga nëntë, do të ndeshen midis tyre në Roza Haxhiu.