Velipojakët e Adës së që konkurojnë në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar duket se këtë sezon futbollistik do të jenë ndryshe nga ai i kaluar kur paraqitja e kësaj skuadre ishte modes në kufijtë e mbijetes. Katër pikët e grumbulluara në tre javët e para të kampionatit janë një tregues pozitiv, çka lënë të shpresosh se këtë sezon mund të kemi një Adë ndryshe. Një gjë të tillë e konfirmon për Veriu Sport presidenti i KF Ada, Alfred Pjetri. Fillimisht, ai komenton pikën e marrë në transfertë, teksa Ada me golat e shënuar nga Ardi Frroiku dhe Sejdi Guri barazoi 2 me 2.
“Me thënë të verteten nuk e njihnim Bulqizën, pasi është hera e parë që luan në këtë kategori. Por, gjithësesi, ne e kishin vlerësu këtë takim. Fillimi ishte i mbarë për ne, megjithëse patëm rezerva për arbitrin në lidhje me disa vendime jo korrekte ndaj ekipit tonë. Duke pasë parasysh që skuadra ka nisur disi vonë përgatitjet, një fillim i tillë nuk duket i keq për skuadrën tonë. Tre javë katër pikë për Adën nuk janë keq për vete kushtet në të cilat gjendet.”, shprehet presidenti Pjetri.
Java e katërt përcakton që Ada të luajë përsëri jashtë duke qënë mysafire në Tropojë përballë Valbonën vendase. Një sfidë kjo e vështirë, por që për presidentin Pjetri, objektivi është për fitore, ose më e pakta për të mos dalë pa pikë nga Tropoja.
Ndërsa, në lidhje me pretendimet e Adës në këtë sezon, duke vlerësuar edhe punën e trajnerit Admir Mehja, Pjetri thotë se do të jenë më të mëdha se sa mendohej. “Realisht, si fillim, ne nuk kemi pasur ndonjë objektiv konkret, por me sa po vërej, trajneri Mehja po punon shumë mirë me ekipin dhe do të shohim hap pas hapi se çfar mund të bëjmë më shumë në renditje.”
Ada ka qënë shumë e njohur në kategorinë e parë, madje në grupin e skuadrave të elites së kësaj kategorie. Por disa probleme që e shoqëruan periudhën e fundit bënë që ajo të zbresë në kategorinë e dytë. “Realisht, edhe ne ndiehemi keq në ktë kategori, por gjithësi, Ada është një klub privat dhe financimet nuk janë aq sa duhet, por do të shohim në vazhdimësi, ndoshta mund të kemi edhe ofrimin e ndonjë biznesmini në mënyrë graduale, edhe ne të shtojmë pretendimet. Sa i përket Bashkisë së Shkodrës, pjesë e së cilës është edhe Velipoja dhe skuadra e jonë, deri më tani nuk kemi asnjë mbështetje në këtë drejtim.”, thekson njëshi i presidences velipojake.
Në mbyllje, edhe diçka për stadiumin “Adriatik” ku luan Ada, i cili pritet të ketë përmirësimet e duhura në vazhdim. “Terreni është mjaft i mirë, e kemi mirëmbajt me forcat tona dhe dita ditës po zbukurohet si fushë. Normalisht, ne pretendojmë që shumë shpejt të fillojmë investimet në fushën e futbollit. Kam pasur edhe një takim me presidentin e FSHF-së Armand Duka, por momentet e virusit Covid-19 e ka lënë paksa në hije diskutimin tonë, por shumë shpejt do të kemi edhe një takim tjetër për këtë problem, dhe shpresojmë që ky projekt të realizohet dhe Velipoja të bëhet me një ambient sportive komod.”, përfundon presidenti i Adës së Velipojës, Alfred Pjetri
Gaspër MARKU