Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën të gjitha ndeshjet e javës së 28-të të saj dhe skuadrat kryesuese nuk kanë gabuar, duke korrur fitore dhe duke ruajtur “status-quo”-në në renditje. Kështu, ndonëse e ka siguruar edhe matematikisht vendin në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm, Bylisi ka dëshmuar edhe një herë se nuk dëshiron ta lëshojë kreun e renditjes, teksa ka fituar me rezultatin minimal në Berat përballë Tomorit vendas, me një gol të shënuar nga Qardaku në pjesën e dytë. Ballshiotët vazhdojnë të kryesojnë, tashmë në kuotën e 66 pikëve, 5 më tepër sesa ndjekësja më e afërt, Erzeni, që ka mposhtur në fushën e vet Besën me rezultatin 4-1 dhe vijon të ruajë vendin e dytë.
Por shijakasit ndjejnë ende nga pas sfidën e Korabit, që me fitoren 2-0 të marrë në fushën e Shkumbinit, janë ngjitur në kuotën e 56 pikëve, 5 më pak sesa Erzeni, teksa të dyja skuadrat janë ende në betejë për vendin e dytë të renditjes, që është edhe vendi i fundit që të çon automatikisht në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm. Sa u përket ndeshjeve të tjera, Butrinti ka mposhtur Besëlidhjen 3-2 në Sarandë, ashtu sikundër nuk ka gabuar në fushën e vet edhe Tërbuni i Pukës, që ka mposhtur minimalisht Turbinën e Cërrikut, kurse Pogradeci ka marrë një fitore të vyer, 3-2, në fushën e Maliqit. Apolonia mposhti thellë, 4-0, Burrelin, ndërsa Vora dhe Lushnja shënuar nga 3 gola dhe ndanë nga një pikë secila.
Rezultatet e Javës së 28-të të Kategorisë së Parë
Tomori-Bylis 0-1
Erzeni-Besa 4-1
Shkumbini-Korabi 0-2
Apolonia-Burreli 4-0
Vora-Lushnja 3-3
Butrinti-Besëlidhja 3-2
Tërbuni-Turbina 1-0
Maliqi-Pogradeci 2-3