Me përfundimin e angazhimit të ekipit kombëtar për eleminatoret e Botërorit “Katar 2022”, futbolli shqiptar i rikthehet aktiviteteve kombëtare. Të mërkurën do të jetë Kupa e Shqipërisë që luan ndeshjet e dyta të Turit të Dytë, ndërkohë që në fundjavë vijon me ndeshjet e Kampionatit të Abissnet Superiore për llogari të javës së nëntë.
Sa i përket ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, me përjashtim të derbit të kryeqytetit, Tirana-Dinamo, pjesë e Grupit A, që do të luhet të enjten në orën 19.45 në “Air Albania”, të gjitha ndeshjet e tjera luhen të mërkurën, në të njëjtin orar, 13.30. Janë 8 çifte të ndara në dy grupe, A dhe B, nga të cilët do të dalin tetë skuadrat më të mira që do të vijojnë garën për fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë.
Me interes për tifozërinë shkodrane pritet ballaqimi në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë vendase, fitues e trofeut të Kupës në fuqi dhe Pogradecit mysafir. Ndeshja e parë e luajtur në stadiumin e Pogradecit, u fitua nga kuqeblutë me rezultatin 0 me 2 falë dy golave të shënuar nga Ardit Hoxhaj dhe Zinedin Mustedanagiç.
Nisur nga avantazhi i ndeshjes së parë, ku Vllaznia ka hedhur një hap përpara drejt kualifikimit në Turin e Tretë, për ndeshjen e kthimit trajneri Brdariç pritet të hedhë në fushë një formacion miks, duke i dhënë hapësira lojtarëve të stolit. Krahas kampionatit, Vllaznia synon seriozisht edhe Kupën e Shqipërisë, ndaj përballja e së mërkurës është e një rëndësie të veçantë për kuqeblutë duke kërkuar patjetër kualifikimin. Ndërkohë, në vazhdimësi të tureve të tjera, shorti duket se e favorizon Vllazninë për të shkuar deri në finale dhe të synojë fitimin e trofeut.
Krahas rëndësisë së kualifikimit, përballja me pogradecarët në Kupë do t’i shërbej kuqebluve edhe si një test serioz përpara ndeshjes së kampionatit, ku në fundjavë do të përballen me Kastriotin e Krujës.
Kalendari i ndeshjeve të kthimit Turit të Dytë të Kupës së Shqipërisë:
GRUPI A
Teuta-Korabi (1-0), Partizani-Besëlidhja (1-0), Tirana-Dinamo (0-2), Skënderbeu-Bylisi (1-1)
GRUPI B
Vllaznia-Pogradeci (2-0), Laçi-Tomori (1-0), Kukësi-Egnatia (1-3), Kastrioti-Flamurtari (0-0)