Futboll moshat-Djelmnia Shkodrane e papërmbajtshme, dopio fitore ndaj Kukësit, 4-0 për U-17 dhe 2-0 për U-19

Kampionati Kombëtar i kategorisë së parë për Akademinë Djelmnia Shkodrane ka nisur në mënyrën më të mirë. Ekipet e saj U-17 dhe U-19 të drejtuara nga trajnerët Arbër Shytani dhe Valdano Nimani po bëjnë një figurë shumë të mirë sportive. Këtë e tregojnë vetë rezultatet e arritura në dy javët e para, ku në katër ndeshje, bilanci është tre fitore dhe një barazim. Konkretisht, në javën e parë të kampionatit duke qënë mysafirë në Peshkopi përballë ekipeve të Korabit, Djelmnia Shkodrane U-17 fitoi thellësisht me rezultatin 0 me 8, ndërkohë që ekipi tjetër Djelmnia Shkodrane U-19 barazoi 0 me 0.

Ndërkohë, për javën e dytë të kampionatit, dy ekipet respektive të Djelmnisë Shkodrane U-17 dhe U-19, ndeshjet e tyre i luajtën në shtëpi pranë fushës sportive të Shtojit duke pasur përballë ekipet respektive të Akademisë së Futbollit Kukësi. Ndeshje këto, në të cilat ekipet e Djelmnisë Shkodrane shfaqen superioritet të dukshëm ndaj rivalëve të tyre kuksianë. 4 me 0 në favor të Djelminisë Shkodrane është mbyllur ndeshja e kategorisë U-17, golat e të cilës u shënuan që të gjithë në pjesën e parë me autorë Ilirjan Buhaj, Aldo Nika, Ermir Rekaj dhe Ledion Vitaj duke bërë që pas javës së dytë të kampionatit, skuadra e drejtuar nga trajneri Arbër Shytani të kryesojë e vetme tabelen e klasifikimit me 6 pikë dhe me golaverazh shumë pozitiv, 10 me 0.

U-17, Djelmnia Shkodrane-Kukësi 4:0

(Shënues: Ilirjan Buhaj 9’, Aldo Nika 14’(p), Ermir Rekaj 27’, Ledion Vitaj 38’)

Formacioni Djelmnia Shkodrane U-17:  Formacioni: Giad Drinazi, Dean Baçina, Jozef Deda, Mateo Pjetri, Gjergj Nika, Ilirjan Buhaj, Ergli Kraja, Klaudio Narkaj, Ledjan Vitaj, Ermir Rekaj, Aldo Nika. Trajner Arbër Shytani(U aktivizuan gjatë ndeshjes: Gjorgjinjo Zhuja, Luis Hysaj, Arbi Hyseni, Ensar Çokaj)

Me fitore e ka mbyllur ndeshjen e javës së dytë edhe ekipi tjetër i Akademisë Djelmnia Shkodrane për kategorinë e moshës U-19. Skuadra e drejtuar nga trajneri Valdano Nimani ka luftuar fort që në start të takimit, por megjithë rastet e shumta të paraqitura përpara portës kundërshtare nuk ka arritur të shënojë duke shkuar në dhomat e zhveshjes për pushim mes dy pjesëve me rrjeta të paprekura. Pas kthimit në fushë, 45 minutat e dyta janë krejt ndryshe për Djelmninë Shkodrane. Ekipi vendas interpretoi më mirë detyrat e dhëna në fazen ofensive dhe si rezultat shënoi dy herë me protagonist Kledis Hurmin në minutën e 49-të dhe Vandi Bregun në të 67-tën. Gola këto që fiksojnë fitoren me meritë të Djelmnisë Shkodrane me rezultatin 2 me 0. Me një barazim dhe një fitore, Djelmnia Shkodrane U-19 me trajner Valdano Nimani është në kuotën e katër pikëve duke qënë mes skuadrave pretendente për trofe.

Fc Djelmnia Shkodrane 2017- Kukësi 2:0

(Shënues: Kledis Hurmi 49’, Vandi Bregu 67’)

Formacioni i Djelmnisë Shkodrane U-19: Marsel Rroku, Kledis Harmi, Erdit Trashani, Emiljano Ndrezaj, Kristian Sermi, Fatmir Pjollaj, Ervis Curri, Kristjan Ara, Armando Shkambi, Vandi Bregu, Bardhok Kerrci. Trajner: Valdano Nimani(U aktivizuan gjatë ndeshjes: Endri Haxhija, Emiljano Mehmetaj)

Dy fitoret në fjalë, 4 me 0 për U-17 dhe 2 me 0 për U-19 kundër një klubi si Kukësi i cili kunkuron me mjaft sukses edhe me Superligen Shqiptare me skuadrën e pare, janë pasqyrë e punës mjaft të mirë profesionale që bëjnë në përgjithësi trajnerët përkatës, si dhe në të njëjtën kohë edhe drejtori teknik i Akademisë së Futbollit Djelmnia Shkodrane, Kreshnik Krepi, tashmë me një përvojë të gjatë në fushën e trajnimit, përfshirë edhe atë me kategorinë e të rriturve në klube të njohur të vendit tonë. Nga sa bëhet e ditur, motoja e kësaj Akademia është vazhdimësia e të punuarit në mënyrën më të mirë nga baza deri lart, duke pasur si objektiv që këtë sezon futbollistik të kualifikohen në Superlig me moshat U-17 dhe U-19.

Ndeshjet e rradhës  për ekipet e Djelmisë Shkodrane do të jenë në transfertë me Studentin. Të shtunën në oren 10:00 luan ekipi U-19, ndërkohë që ekipi U-17 luan një ditë më pas, të dielen po në orën 12.00, ndeshje këto që do të luhen në kompleksin sportiv Kamzë.

Gaspër MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu