Friday, April 26, 2024

Vllazni e frikshme, fitorja në transfertë me Kastriotin, paralajmërim serioz për titullin e 10-të kuqeblu

Lexo

Kastrioti-Vllaznia 0:3

(Shënues: Dunga 1′, Dilaver 18′, Imeri 43′)

E mërkurë, 9 dhjetor 2020, ora 13.45, stadiumi i qytetit të Kamzës

Kastrioti: Hidi, Neziri(Çela 46’), Bojom, Shkalla(Moraes 46’), Prodani, Husein, Mehmeti(Deliaj 67’), Okebugu, Rezi(Plaku 46’), Bardhi, Devid. Trajner: Ramazan Ndreu

Vllaznia: Zogovic, Gurishta, Shehi, Imami, Isaevski, Krymi(Lekaj 91’), Marku, Jonuzi(Kalaja 82’), Imeri(A. Hoxhaj 67’), Dunga(Ramadani 67’), Dilaver(Çoba 86’). Trajner: Thomas Brdariç

Gjyqtar: Laver Alla(Lushnje)

Për vetë pozicionin në të cilin gjendeshin skuadrat në tabelën e klasifikimit, kuqeblutë të parët me 13 pikë dhe krutanët të tretët me 10 pikë, përballja e javës së 7, Kastrioti-Vllaznia pritej të ishte me rivalitet dhe luftë të fortë sportive duke pasur në tavolinë të tre rezultatet. Por, realisht sfida e luajtur pasditen e së mërkurës në stadiumin e Kamzës duket se u zgjidhë më lehtë se sa mendohej për kuqeblutë. Skuadra e drejtuar nga Brdariç i dha një goditje të rëndë vendasve, jo vetëm me golin e shënuar që në sekondën e 23-të të startit të takimit, por më së shumti në aspektin psikologjik. E themi këtë, sepse, pas pësimit të golit, të befasuar nga kjo nisje aspak e këndshme, krutanët u çoroditën keq në fushën e lojës. Duke mos u pajtuar me disavantazhin, dhe me dëshirën për të shënuar sa më shpejt golin e barazimit, të besuarit e Ramazan Ndreut harruan se përballë kanë një Vllazni që nuk të fal në kundrasulm. Dhe, kjo ndodhë në të 18-tën minutë kur Dilaver shfrytëzon më së miri një kros të ardhur nga krahu i djathtë duke e dërguar topin në rrjetën e portjerit vendas Hidi. Edhe pse tek Kastrioti ka shenja për të mos u dorëzuar, pasi realisht në lojë ishin edhe shumë minuta për të ndryshuar diçka në rezultat, jo vetëm që nuk arrin ta bëjë një gjë të tillë, por ndëshkohet edhe me golin e tretë pas një harkimi perfekt të shqiptaro-maqedonasit Demir Imeri që përfundon në trekëndëshin e sipërm të Hidit.

Edhe pse në disavantazh të tre golave, tekniku Ndreu nuk pranon të dorëzohet teksa pjesën e dytë e fillon me 3 zëvendësime duke aktivizuar Plakun, Çelën dhe Moraes në vend të treshes Rezi, Neziri dhe Shkalla. Por, as kjo nuk jep asnjë ndikim në lojën e vendasve, kjo edhe për faktin se përballë kanë një Vllazni të mirëvendosur në fushën e lojës, e cila jo vetëm që mbrohet mirë, por thuajse në çdo aksion të saj ka rrezikshmëri goli, aq sa edhe nëse ndeshja të përfundonte në shifra edhe më të thella nuk do të përbënte aspak çudi.

Përfundimisht, vërshëllima e gjyqtarit elbasanas Laver Alla, kur kishin kaluar edhe tre minutat e kohës shtesë fikson shifrat 0 me 3 për kuqeblutë. Tre pikë këto që e ngrejnë skuadrën shkodrane në kuotën e 16 pikëve, me një Vllazni të frikshme, jo vetëm se vazhdon të kryesojë e vetme tabelën e klasifikimit, por edhe për atë, se tani, pasi kaloi edhe testin Kastriot, e vetmja skuadër që figuronte deri më sot pa humbje, pa as më të voglin hezitim duhet thënë se ka shpalosur hapur kandidaturën e fitimit të titullit të 10-të kampion.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img