Futbolli i moshave ka luajtur ndeshjet gjysëmfinale për kategoritë e moshave U-17 dhe U-19 duke përcaktuar edhe skuadrat finalist për secilen grupmoshë. Për kategorinë e 17 vjeçarëve në finale u kualifikuan Vllaznia dhe Durrësi 04, të cilët mundën respektivisht Apoloninë dhe Football Republic.
Vllaznia U-17 e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi mundi me rezultatin 4 me 2 Apoloninë. Kuqeblutë kaluan në epërsi vetëm se në minutën e 31-të me anë të Kevin Dodajt , teksa me nisjen e pjesës së dytë, në të 51-tën minutë shënojnë edhe një tjetër gol me anë të Rijad Fangaj. Apolonia ngushton përkohësisht rezultatin në të 75-n minutë, teksa 4 minuta më vonë, shkodranët realizojnë edhe golin e tretë me anë të Gerald Kubazit, futbollist ky që n kohën shtesë shënon edhe golin e katërt duke fiksuar rezultatin 4-2 në favor të Vllaznisë. Fitore kjo që e çon Vllazninë finale e Kupës së Shqipërisë.
Po për kategorinë U-17, bregdetarët e Durrësi 04 kishin përballë në gjysmëfinale ekipin e Football Republic, në një ndeshje plot emocione dhe raste shënimi për të dyja skuadrat. Goli i vetëm dhe që kaloi durrsakët në finale erdhi vetëm në minutat shtesë të kohës së rregullt, me Dokon që kaloi në avantazh dhe i siguroi biletën për në finalen e këtij edicioni skuadrës së tij.
TURI 1/2 KUPA E SHQIPËRISË U-17
Football Republic 0-1 Durresi 04
Apolonia 2-4 Vllaznia
FINALE
Vllaznia-Durresi 04
Ndërkohë, për kategorinë U-19, Partizani dhe Internacionali janë dy ekipet që do të përballen me njëri-tjetrin për të qenë triumfues të këtij kompeticioni. Partizani mundi ekipin e Football Republic me rezultatin minimal 0-1. Një gol i Januzit në minutën e 73-të të takimit i siguroi të kuqve biletën për në finalen e kësaj gare. Sakaq, ndeshja tjetër gjysmëfinale mes Tiranës dhe Internacionalit, nxorri fitimtarë këta të fundit, që u treguan më të saktë nga penalltitë. Të dy ekipet prodhuan lojë të bukur, me ndeshjen që u hap që në minutën e 6-të, me Grecën që kalon në avantazh Internacionalin, por pas vetëm dy minutash, Tirana barazon rezultatin me Tafa-n. Pas 82 minutash pa gol, skuadrat iu drejtuan 11-metërshave, përmes të cilave, Internacionali siguroi finalen.
TURI 1/2 KUPA E SHQIPËRISË U-19
Football Republic 0-1 Partizani
Tirana 1-1 Internacional (2-4 penallti)
FINALE
Partizani – Internacional