Një nga tre ndeshjet e prapambetura të futbollit të moshave të luajtura këtë mesjavë ishte edhe ajo mes KF Shkodra dhe Internacional për kategorinë Superiore U-19, Grupi A. Skuadra mike ka surprizuar me atë fillim shpërthyes ku në harkun kohor të 29 minutave ka tundur tre herë rrjetën e portës së KF Shkodra. Autorë të golave kanë qënë Kuka, Nerguti, Zeqiraj, përkatësisht në minutat 13,’, 15’, 29’ duke çuar rezultatin 0 me 3 për miqtë nga Tirana. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që në 45 minutat e dyta, futbollistët shkodran të drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi e përmirësojnë lojën e tyre, por me gjithë rastet e shumta për gol, vetëm një herë arritën të godasin saktë. Dhe, kjo erdhi në minutën e 70’ me autor Moleci, gol i cili vetëm sa shkurtoi diferencën e avantazhit për Internacional që e fiton të gjithë ndeshjen me rezultatin 1-3.
Për KF Shkodra U-19 kjo ishte humbja e dytë radhazi në harkun kohor të katër ditëve, pasi të dielën e kaluar në kuadrin e javës së 24-të u mund në transfertë nga Dinamo me rezultatin e thellë 5 me 2. Për ekipin vendas të Dinamos golat u shënuan nga Bala, Hysko, Sulka, Hoxha dhe Hasa, përkatësisht në minutat 18’, 43’, 54’, 85’, 90’. Ndërsa për shkodranët mysafir, golat u shënuan nga I njëjti autor, Suka, përkatësisht në minutat 6 dhe 52’.
Të besuarit e trajnerit Rudi Piraniqi për këtë ndeshje ishin: Tafa(Caku 46’), Shabi(Curraj 46’), Hasmegaj, Xhakaj, Nilaj(Fijak 65’), Hoxha(Kodra 65’), Oborri, Moleci, Suka, Kaçaj(Sykaj 46’), Kodra. Trajner Rudi Piraniqi.
Pas kësaj jave, KF Shkodra renditet në vendin e 7-të me 18 pikë. Pas saj renditen Internacional me 15 pikë, Dinamo dhe Shkëndija e Durrësit me nga 6 dhe 3 pikë. Ndërkohë, tabelën e klasifikimit në Grupin A e kryeson Vllaznia me 35 pikë e ndjekur nga Shënkolli dhe Partizani me nga 32 dhe 30 pikë.
Java e 25-të e Superiores U-19 ofron derbin shkodran, KF Shkodra-Vllaznia, takim që do të luhet ditën e premte në fushën sportive të Barbullushit duke filluar nga ora 13.30.