Java e 20-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë Superiore të moshave nuk ka shkuar mirë për KF Shkodra, pasi dy ekipet e saj, U-17 dhe U-19 janë mundur. 17 vjeçarët e drejtuar nga trajneri Arbion Kopliku duke luajtur si udhëtues janë mundur nga Vllaznia 1 me 0, ndërkohë 19 vjeçarët me trajner Rudi Piraniqin duke qënë pritës janë mundur në shtëpi nga Laçi me rezultatin 2-3.
Sfida e dytë U-19, KF Shkodra-Laçi është zhvilluar në fushën sportive të Barbullushit duke prodhuar plot pesë gola, njëri më i bukur se tjetri. Të parët kanë kaluar në avantazh miqtë nga Laçi me golin e shënuar në minutën e 13-të nga Grimci. Nuk ka vonuar, vetëm pesë minuta dhe vendasit e Shkodrës kanë barazuar në minutën e 18-të me anë të Molecit. Ndërsa u mendua se pjesa e parë do të mbyllej në barazpeshë 1 me 1, i këtij mendimi nuk është Hoxha që shënon golin e dytë në 60 sekondat e kohës shtesë duke e çuar KF Shkodra në pushimin mes dy pjesëve në avantazh 2 me 1.
Pas kthimit nga dhomat e zhveshjes loja në pjesën e dytë bëhet edhe më luftarake, Dhe meritë për këtë ka skuadra laçjane, e cila në këtë pjesë loje ka shtuar më tepër mobilizimin në fushën e lojës. Presioni i minutave të para të pjesës së dytë në portën shkodrane nxjerrë në dritë golin e dytë për miqtë. Kjo ndodhë në minutën e 58-të me anë të futbollistit të tyre Lekgegaj duke fiksuar shifrat e barabarta 2-2.
Barazimi nuk i kënaq vendasit dhe të orientuar nga trajneri Piraniqi shtojnë veprimet sulmuese për të gjetur golin e tretë të avantazhit. Rastet për një gjë të tillë nuk mungojnë, por kur pritej që goli të shënohej në portën mike, janë laçjanët që në minutën e 81-të befasojnë kur shënojnë në portën vendase të KF Shkodrës me anë të Selmanit. 2 me 3 për Laçin, dhe minutat në vazhdim nuk sjellin asgjë të re duke mxjerrë fitues skuadrën laçjane, e cila largohet nga Shkodra me tre pikë shumë të rëndësishme.