Tre stadiume, “Niko Dovana”, “Loro Boriçi” dhe “Adush Muça” janë në garë për të shpallur ekipin kampion të Shqipërisë për sezonin futbollistik, 2020-2021. Teuta është ndjeshëm e avantazhuar, aq më tepër që përballë do të ketë një skuadër si Apolonia, jashtë cdo llojë objektivi. Nuk ka se si të mos besojnë edhe në “Loro Borici”, ku Vllazninë e ndan vetëm një gol nga durrsakët, por që përballë do të ketë një kundërshtar me pretendime siç është skuadra e Laçit. Matematika mban në lojë edhe Partizanin, por do të duhej një mrekulli që titulli të mbërrinte në duart e të kuqve, aq më tepër përballë një Ballshi që shpreson te mbijetesa në këtë ndeshje të fundit, ku vetëm tri pikët do të bënin punë, gjithmonë nëse gabon Kastrioti. Llogari, që e kanë detyruar FSHF-në të mendojë për ceremoni në tre stadiume, pasi llogariten katër skuadra në garë për titull: Teuta, Vllaznia, Laçi e Partizani. Nga që mësohet, trofeu i titullit kampion do të dorëzohet nga vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka. Për këtë, në dispozicion të tij do të jetë një helikopter, ku zoti Duka, sapo të mësohet fati i titullit do të fluturojë brenda pak minutash drejt stadiumit përkatës për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të organizuar nga FSHF.
Për këtë, Komiteti Ekzekutiv gjatë mbledhjes së tij online ka diskutuar pikërisht për ceremoninë e titullit, dhe në përfundim ka dalë me këtë njoftim për publikun:
“U zhvillua ditën e sotme mbledhja online e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit, nën drejtimin e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Në këtë mbledhje u diskutua në lidhje me ceremoninë e dorëzimit të titullit kampion për sezonin 2020-2021 në Kategorinë Superiore. Duke parë se 90 minuta përpara fundit të sezonit në garë për titullin kampion janë katër skuadra, Komiteti Ekzekutiv vendosi organizimin e 3 ceremonive, në Ballsh, Durrës dhe Shkodër. Në të tre qytetet do të jetë trofeu i kampionit, zyrtarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që Presidenti Duka i cili do të dorëzojë trofeun, do të udhëtojë drejt stadiumit ku do të dorëzohet titulli menjëherë pas përfundimit të lojës së rregullt. Komiteti Ekzekutiv miratoi gjithashtu të gjithë materialet për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, që do të zhvillohet online përmes platformës Microsoft Team, në datë 14 qershor, duke filluar nga ora 10:00.”, thuhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së.