Futboll U-21 / Andorra-Shqipëri 0:3, shkodrani Broja, kapiten dhe golashënues

Shqipëria e 21 vjeçarëve e drejtuar nga trajneri Alban Bushi e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin në kualifikueset e Kampionatit Europian 2023, duke munduar pastër 3-0 Andorrën në transfertë, falë golave të Armando Brojas, Anis Mehmetit dhe autogolit të Alvarez. Një nisje e tillë ishte premtuar edhe nga trajneri Bushi një ditë më parë, kur u shpreh se skuadra ka punuar mirë dhe do të tregojë cilësitë në lojë.

Tekniku i 21 vjeçarëve e nisi ndeshjen me këtë formacion: Alia; Kalaj, Pëllumbi, Mitaj, Marku, Dobra, Mehmeti, Vangjeli, Ismajlgeci; Karrica, Broja. Gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe Mema, Gjata, Bushaj.

Pjesa e parë nisi e kujdeshme, me kuqezinjtë që po studionin kundërshtarin dhe kërkonin të ambientoheshin shpejt me fushën sintetike. Pas 10 minutave të para mekanizmat sulmues fillojnë të funksionojnë dhe kuqezinjtë afrohen në portën e Andorrës. Goli i parë do të vinte në minutën 17-të me autor shkodranin Armando Broja, i cili në këtë ndeshje mbajti edhe shiritin e kapitenit të skuadrës. Për t’u theksuar është se goli i shënuar nga Armando Broja ishte tipik në stilin e tij duke i vjedhur topin mbrojtjes kundërshtare dhe duke arritur të zhbllokojë ndeshjen. Goli qetëson kuqezinjtë që në minutën e 43-tē gjejnë dhe golin e dytë me anë të Anis Mehmetit që shndërron në gol një penallti të fituar nga Dobra. Me avantazhin e dy golave mbyllet fraksioni i parë. Në të dytin skuadra e Bushit nuk e ul ritmin dhe gjen golin e tretë në të 63-tën me autogolin e Alvarez, që nuk kishte mundësi tjetër duke parë aksionin e shkëlqyer të 21 vjeçarëve tanë. Në minutat e fundit ka edhe shanse të tjera shënimi por gjithçka përfundon 3-0. Nisje e shkëlqyer e edicionit eliminator.

Në datë 8 qershor, Shqipëria U-21 do të luajë një ndeshje miqësore ndaj Bullgarisë në Sofie, ndeshje që do ti shërbejë trajnerit Bushi për të provuar të gjithë lojtarët që ka në dispozicion.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu