Viti 2026 për futbollin amator në FSHF Sunday League Albania nis me një event të veçantë dhe spektakolar, finalen e Superkupës mes ATS dhe Luminesen. Përballja do të zhvillohet të shtunën, më 10 janar, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, duke sjellë në fushë dy nga skuadrat më të spikatura të sezonit të kaluar.
Ekipi i ATS vjen në këtë sfidë si kampion i edicionit 2024–2025 të “FSHF Sunday League Albania”, ndërsa Luminesen merr pjesë në finale pas triumfit në FSHF CUP, duke e bërë këtë përballje një duel mes dy fituesve të trofeve më të rëndësishëm të futbollit amator.
Ndeshja do të luhet në orën 19:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në FSHF TV, si edhe në platformat “Klani im” dhe “Digitalb”, duke i dhënë mundësinë tifozëve ta ndjekin këtë event kudo që ndodhen. Ndërkohë, hyrja për të gjithë tifozët në “Shtëpinë e Futbollit” do të jetë falas, duke ftuar publikun të përjetojë nga afër emocionet e finales së Superkupës.



