Kanë startuar në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ndeshjet e UEFA Futsal Champions League Siç është bërë e ditur UEFA i ka besuar Federatës Shqiptare të Futbollit pritjen dhe organizimin e disa nga ndeshjeve të turit para-eliminator të Futsal Champions League 2021/2022. Pas një pune disa-javore FSHF ka bërë gjithçka gati për të pritur 6 ndeshjet e Grupit C që do të zhvillohen në sallën e Parkut Olimpik të Tiranës nga data 21 e deri më 24 gusht. Nga Shqipëria merr pjesë KF Tirana, si kampionia e fundit e shpallur në mënyrë sportive. Klubi kryeqytetas është shortuar në Grupin C së bashku me Haladás VSE (HUN), FC Differdange 03 (LUX) dhe Utleira Idrettslag (NOR).
Tirana e ka nisur me këmbë të mbarë teksa ka mundur në ndeshjen e parë luksemburgasit e Differdange. Një ndeshje mjaft e bukur dhe me nivel të lartë. Pas një pjese të parë shumë të mirë, që u mbyll me shifrat 0-0, në pjesën e dytë Tirana arriti të gjente golin e parë me anë të Qerimit në minutën e 25-të. Një gol që karikon bardheblutë, të cilët pas 4 minutash gjejnë edhe golin e dytë me anë të një kundërsulmi, që finalizohet po nga Qerimi. Por Differdange nuk dorëzohet dhe reagon shumë shpejt, duke ngushtuar shifrat me golin e Torres.
Gjithsesi, bardheblutë arrijnë të mbajnë kontroll ndeshjen dhe e menaxhojnë mirë, duke gjetur golin e 3-1 kur kishin mbetur edhe dy minuta nga përfundimi i sfidës me anë të Halimit. Gjithsesi, Differdange reagon shumë shpejt dhe ngushton rezultatin në 3-2me golin e Bocum. Pa kaluar as një minutë Tirana shënon sërish me Kelmendin, pas një aksioni këmbëngulës duke fiksuar rezultatin në 4-2. Kësisoj, ekipi shqiptar triumfon dhe e nis me këmbën e mbarë kompeticionin europian.
Në ndeshjen tjetër të kësaj dite, të vlefshme për fazën kualifikuese të Grupit C janë përballur hungarezëte Haladas dhe norvegjezët e Utleiras. Sfida e luajtur në sallën e lojërave me dorë të Parkut Olimpik të Tiranës ka qenë mjaft e bukur dhe ka dhuruar gola e emocione. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, në pjesën e dytë hungarezët e Haladas kanë treguar superioritetin e tyre, duke triumfuar me rezultatin 5-1.
Në ndeshjet e dyta, Differdange – Haladas, që përfundoi me fitoren e hungarezëve me rezultatin e ngushtë 3-4 pas një dueli mjaft të ekuilibruar. Pas kësaj fitoreje Haladas ngjitet në vendin e parë të grupit me 6 pikë.
Në sfidën tjetër të ditës së dytë që nisi në 20:30, Tirana u mund nga Utleira me rezultatin 4-2. Pavarësisht se bënë një paraqitje të mirë, bardheblutë ishin të pafata dhe nuk mundën të siguronin fitoren e dytë, që mund t’u jepte më shumë mundësi për të arritur vendin e parë.
Dy sfidat e fundit të Grupit C luhen më 24 gusht 2021. E para që nis në ora 17:00 është Utleira (NOR) – Differdange (LUX), kurse në 20:30 starton sfida Tirana (ALB) – Haladas (HUN).