Vinçenco Nibali nuk pedalon më, por eksperienca e tij në fushën e çiklizmit i bën opinionet e tij mjaft të vlefshme. Për ish-çiklistin italian “Giro d’Italia 2025” do të jetë një event mjaft i bukur pasi tre garat e para do të mbahen në Shqipëri.
“Mezi po pres që të shijoj këtë xhiro të ri, tre etapat e para të të cilit do të mbahen në Shqipëri. Do të jenë shumë të rëndësishme pasi do të ndikojnë në klasifikimin e përgjithshëm. Do të jetë një nisje shumë e bukur pasi kam përjetuar një eksperiencë të tillë kur kam garuar vetë. Mbaj mend se një sezon xhiroja nis nga Hungaria dhe jemi dëfryer shumë”, tregon “peshkaqeni”.
I pyetur nëse mund të bëjë ndonjë parashikim sa i përket protagonistëve, Nibali tregon se çiklisti Remco Evenepoel mund të jetë një protagonist pasi është mjaft konkurues në garat me kohën edhe pse mbetet për tu parë nëse rikuperon në kohë nga dëmtimi që pësoi pas një aksidenti në stërvitje.
Ndërsa për Pogaçar, Nibali mendon se prania e tij në Xhiron e Italisë nuk është e garantuar.