Gjeorgjia përballet të martë në një miqësore me Shqipërinë, duke ardhur pas fitores minimale të premten në miqësoren e zhvilluar në Bosnjë-Hercegovinë me përfaqësuesen vendase. Dhe trajneri Vili Sanjol i ka të qarta pritshmëritë për skuadrën e tij.
“Sa i përket ndeshjes tonë të martën me Shqipërinë, pritshmëritë e mia janë të njëjta me ato që kisha të premten e shkuar në Bosnjë-Hercegovinë. Unë dhe stafi im teknik kemi qenë të qartë në atë që duam t’i përdorim këto dy ndeshje miqësore për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve në qershor. Por ju e dini që skuadra përfaqësuese është edhe çështje paraqitjeje dhe pres që skuadra ime të ruajë të njëjtën dinamikë që kemi adoptuar para 6 muajsh, në tetor të vitit të shkuar, dhe, pas ndeshjes me Bosnjën isha shumë i lumtur me disiplinën, por edhe me shpirtin e skuadrës dhe, po, ndaj Shqipërisë pres të njëjtën lloj paraqitjeje”.
Lidhur me sfidën me kuqezinjtë, ish-lojtari i njohur i Francës dhe Bajernit të Mynihut, ka folur me superlative për ekipin shqiptar.
“I njoh mjaft mirë, edhe sepse është puna ime të mësoj shumë për kundërshtarët. Sigurisht, Shqipëria, dhe kjo u pa edhe para pak ditësh me Spanjën, është një skuadër e fortë, me disa lojtarë interesantë, që luajnë në disa klube të mira, dhe e kam fjalën për Gjimshitin, për Brojën, që janë lojtarë që njihen mirë tashmë edhe në Evropë. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, por po kështu ishte edhe ajo në Bosnjë-Hercegovinë”.
Përtej mungesave tek Shqipëria, 45-vjeçari nuk pret ndryshim të lojës së skuadrës së homologut italian, Edoardo Reja.
“Në futboll mund të ketë gjithmonë të papritura. Ne nuk jemi të sigurt se çfarë do të ndodhë të mërkurën, sepse, siç e thashë, Shqipëria luajti para pak ditësh në Spanjë, u lodhën shumë dhe kanë udhëtuar më pas, ndaj disa prej lojtarëve mund edhe të jenë lodhur, çka është e kuptueshme. Pra, mbase do të ketë ndryshime në formacion, por, ku e shohim Shqipërinë në muajt dhe vitet e fundit, ajo nuk para e ndryshon sistemin apo mënyrën e saj të lojës. Por, më e rëndësishme për ne është të ruajmë disiplinën dhe shpirtin e skuadrës, për të pritur më pas edhe një rezultat pozitiv”.
Ndërsa zv/kapiteni Nika Kvekveskiri e sheh miqësoren me Kombëtaren kuqezi si një “provë gjenerale” të Gjeorgjisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve në qershor.
“Ne e njohim mirë skuadrën e Shqipërisë, sepse shumë lojtarë të saj luajnë në disa prej kampionateve më të mira të Evropës dhe, siç e tha edhe trajneri, ata janë të njohur tashmë. Pra, i njohim, por theksi ynë tek këto dy ndeshje është përgatitja për ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe prandaj ndeshja më Shqipërinë është si një “provë gjenerale” për ne për sfidat e qershorit. Me pak fjalë, theksi ynë është tek rritja si skuadër, marrja e rezultateve pozitive”.
Takimi Shqipëri-Gjeorgji luhet të martën, në Stadiumin “Arena Kombëtare”, duke nisur nga ora 18:00 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.