Ka përfunduar takimi i Superiores në Korçë. Skënderbeu është mundur nga Elbasani me rezultatin 0-2. Trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka ka folur në përfundim të takimit.
“Ne na duhet çdo pikë, edhe barazimi do ishte i vlefshëm por fitorja edhe më shumë e vlefshme. Unë mendoj që duhet të ishim më vigjilentë, goli i parë erdhi nga mosvigjilenca, dihet që në një terren të tillë, portieri duhet ndihmuar nga mbrojtësit. Gjjithsesi më vjen shumë keq pasi e prisnim ndeshjen ndryshe, pse jo të kërkonim edhe fitoren.
Më vjen keq për skuadrën, kam rreth dy javë e gjysmë këtu dhe nuk po gjejmë zgjidhjen, ekipi ka nevojë për diçka tjetër, duhet të mendojmë të gjithë për zgjidhjen. Është një ekip shumë i brishtë, thyhet dhe nuk ngrihet dot më, kjo është për ardhur keq se Elbasani nuk është se bëri gjë.
Unë mendoj që kemi pasur më shumë mundësi deri në momentin e gabimit, gropa është shumë e madhe, ta ngrej psikologjikisht por mesa duket nuk po gjej dot zgjidhje. Skuadra ka qenë në këtë gjendje që është”, deklaroi Gjoka për “RTSH Sport”.