Durrsakët e drejtuar nga Renato Arapi kanë marrë tre pikë të arta në transfertën e vështirë të Laçit, ndeshje kjo e luajtur sot në Laç për llogari të javës së 26-të të Superiores. Ka vendosur një gol i shënnar nga shkodrani Rubin Hebaj që Teuta të fitonte 0-1 duke marrë kështu një ngrohje, jo vetëm morale, por edhe në pikëzim, pasi gjatë javëve të fundit durrsakët ishin jo pak nën presionin e grupit të skuadrave që luftojnë për mbijetese.
Në fakt, pjesa e parë e takimit të luajtur pasdreke ka parë një epërsi të lehtë të skuadrës vendase, por me të dyja skuadrat që e kufizojnë njëra-tjetrën në rastet e krijuara nga goditjet e lira dhe nga goditjet nga larg. Dhe rasti më i volitshën u pjesës së parë, kur goditja e fuqishme nga larg e Julian Shehut devijohet fillimisht nga portieri Qirko dhe më pas nga shtylla horizontale.
Pjesa e dytë ka qenë rasti klasik i një ndeshjeje ku njëra skuadër, në rastin konkret ajo kurbinase, bën gjithçka, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës, ndërsa skuadra mike bën atë që i duhet, gjen golin që do t’i japë fitoren. E teksa Laçi sulmon, ndërton raste për shënim dhe shpërdoron, kjo kryesisht për meritë të gardianit të portës durrsake, Qirko, që nuk e lejon prekjen e rrjetës së tij, i ndihmuar edhe nga mbrojtja e tij, siç ishte rasti i minutës së 69-të, është Teuta që 4 minuta më pas gjen edhe golin e fitores.
Është Hebaj, i cili u fut në lojë në minutën e 65-të, ai që do të reagojë shpejt në minutën e 73-të, kur do të përcjellë në rrjetë topin e devijuar nga portieri vendas, Dajsinani. 17 minutat e mbetura dhe ato 5 shtesë do të shohin Laçin të sulmojë, por Teuta mbrohet mirë dhe arrin ta ruajë fitoren 1-0, duke e thelluar ndërkohë krizën e kurbinasve, që prej një muaji dhe 5 ndeshjesh, nuk e shijon fitoren.