Erdenis Gurishta, është një kapiten autoritar në fushën e lojës, por një djal kampion edhe në jetën e përditshme. Një qytetar model, shumë i komunikueshëm dhe miqësor me komunitetin dhe sidomos me tifozët kuqeblu që nuk ia kursejnë duartrokitjet teksa luan me shumë dinjitet në formacionin e Vllazninë.
Mbrëmjen e së hënës, ai ishte i ftuar në emisionin “Proçesi Sportiv” në Top Channel, ku foli për fitoren 1-0 ndaj Tiranës, fitore kjo që rihap kampionatin, pasi diferenca me kreun shkurtohet në 3 pikë, nga 6 që ishte përpara javës së 21-të.
Gurishta është i fejuar, dhe është në përgatitje e sipër që këtë verë të organizojë ceremoninë e martesës. Në komunikim e sipër me drejtuesit e emisionit, Gurishta deklaroi se nëse Vllaznia shpallet kampione këtë sezon futbollistik, dasmën do të bëjë në stadiumion “Loro Boriçi”.
Ndër të tjera, Gurishta foli edhe për spektaklin “Big Brother VIP Albania”, për të cilin pohoi se ai personalisht dhe e gjithë skuadra e ndjekin me interes, sidomos kur janë të grumbulluar, që e shikojnë të gjithë në grup.
Ndërsa i dhuroi fanelën e Vllaznisë me numrin dhe emrin e tij, regjizorit shkodran të spektaklit “Big Brother”, Eduard Grishaj, kapiteni kuqeblu theksoi se ai, skuadra kuqeblu dhe e gjithë Shkodra e më gjërë janë me Luizin. Gurishta, tha gjithashtu, se së shpejti, në shtëpinë e Big Brother VIP, do të mbërrijë një uniform e Vllaznisë e firmosur nga e gjithë skuadra kuqeblu, dhuratë për Luizin. Gurishta, shprehu bindjen se Luizi dhe Vllaznia do të jenë kampion këtë sezon.