Thursday, March 28, 2024

Superiore-Analiza e Shkëlqim Muçës për javën e 21-të: Tirana, Vllaznia e Partizani luftojnë për titull

Lexo

Shkëlqim Muça, në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH

“Shikoj tri skuadra që do të rivalizojnë deri në fund”, kështu mendon Shkëlqim Muça, i ftuari i përhershëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, i cili ka analizuar javën e 21-të të “Abissnet Superiore”.

“Kampionati bëhet më i bukur kur ka shumë skuadra që rivalizojnë, si në pjesën e sipërme ashtu dhe në atë të poshtme të klasifikimit. Bashkë me Tiranën dhe Vllazninë mendoj se është dhe Partizani që do të luftojë për titull, këto tri skuadra do të rivalizojnë”.

Fitorja kuqeblu në klasike – “E rëndësishme është që u rikthyen tifozët, shpresojmë që të vazhdojnë kështu sepse Vllaznisë i duhen tani. Edhe ndeshja e justifikoi, ishte e luftuar nga të dyja skuadrat. Në pjesën e parë, Tirana ishte një hap përpara Vllaznisë, kuqeblutë bënë gabime. Në pjesën e dytë ndodhi e kundërta, Vllaznia rikuperoi dhe administroi mirë. Është e qartë, Josa po përdor lojtarë që kanë kondicionin e tyre më të mirë, i funksionoi mesfusha mirë. Ishte një arritje, se në një ndeshje të tillë kështu ndodh. Ishte si një ndeshje e barabartë, por them që kjo fitore e kuqebluve e zbukuroi kampionatin. Vllaznia do të përforcohet akoma më shumë me rikuperimin e mbrojtësave. Mendoj se duhet të jetë më cinike në ndeshjet jashtë, në ato të konsideruara si të lehta”.

Dominimi i Partizanit – “Fusha e Ballshit është e vështirë, do shumë vendosmëri, shumë mund për të arritur tek goli. Partizani dominoi gjatë gjithë ndeshjes, goli dukej çështje kohe. Në pjesën e dytë la hapësira dhe mund ta kishte goditur Bylisi, por mendoj se të kuqtë e merituan plotësisht fitoren. Për Bylisin mund të them se ka bërë një nga ndeshjet më të dobëta në këtë sezon”.

Barazimi në derbi – “Një ndeshje mes dy skuadrave me rivalitet. Mendoj se Teuta ka humbur dy pikë, duhet të kishte menaxhuar më mirë rezultatin. Por Erzeni duhet vlerësuar, është një skuadër që na ka surprizuar me lojën që bën”.

Fitorja e Egnatias në Laç – “Po ta shikojmë si lojë, Egnatia e meritoi fitoren, tregoi pjekuri. E goditi në momentin kur Laçi ishte i shpërqëndruar. Ishte një fitore e rëndësishme në një fushë të vështirë. Nuk është e lehtë të marrësh pikë në fushën e Laçit”.

Fitorja e Kukësit dhe largimi i Memës nga Kastrioti – “Ishte një detyrim për të fituar ndeshjen ndaj Kastriotit, Kukësi e meritoi. Në lidhje me largimin e trajnerit Mema nga Kastrioti, mendoj se është nxituar, krutanët kanë bërë ndeshje të mira, pavarësisht rezultateve. Nëse e kanë larguar, atëherë është gjë tjetër”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img