Hap i gabuar i Shirokës, humb në shtëpi me “Eagle Football”. Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Tretë, Grupi A

KF Shiroka- Eagle Football, 1-2(Shënues: Gabriel Ogungbire 58’/ Klejdis Branica 16’, Rei Ysolliu 55’)

Java e 12-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e tretë nuk ka shkuar mirë për Klubin e Futbollit Shiroka. Pas tre rezultateve pozitive, dy në transfertë dhe një në shtëpi me Himaren, futbollistët shkodranë të Shirokës janë ndalur në ndeshjen e radhës, të cilën e kanë luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” përballë ekipit rival Eagle Football.

Një fitore e mundshme në këtë ndeshje do t’i jepte mundësinë Shirokës të luftonte në realizimin e objektivit për t’u kualifikuar në kategorinë e dytë.

Por, humbja në shtëpi me Eagle Football, konsiderohet një hap i gabuar në realizimin e këtij objektivi, pasi tashmë, duke mbetur në kuotën e 22 pikëve, Shiroka e vendit të tretë, pas Eagle Football që kryeson me 28 pikë dhe Partizanit B me 26 pikë dhe një ndeshje më pak, shanset për të shkuar në fazën Plej Off janë më të pakta.

Referuar përballjes me Eagle Football, pjesa e parë u mbyll me avantazhin e skuadrës kundërshtare 0-1 falë golit të shënuar nga miqtë me autor Klejdis Branica në minutën e 16-të. Dhjetë minuta nga fillimi i pjesës së dytë Eagle Football dyfishon avantazhin me golin e shënuar nga Rei Ysolliu.

Duke mos u pajtuar me disavantazhin, Shiroka hidhet e tëra në sulm dhe gjen shumë shpejt golin e parë duke shënuar në të 58-tën minute me autorë Gabriel Ogungbire.

Minutat në vazhdim shoqërohen me një luftë të fortë sportive, shirokasit në kërkim të golit të barazimit dhe miqtë për të administruar avantazhin. Por, megjithë përpjekjet e vendasve për të gjetur golin e barazimit, vërshëllima e gjyqtarit Koçi mban në fuqi rezultatin 1 me 2 në favor të Eagle Football që largohet nga Shkodra me një fitore shumë të rëndësishme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu