Pragndeshja Tirana-Vllaznia është shoqëruar me heshtje shtypi në kampin kuqeblu. Askush nga pjesëtarët e KF Vllaznia nuk ka marrë përsipër të dalë në konferencën e zakonshme të shtypit që zhvillohet si zakonisht dhe tradicionalisht një ditë para ndeshjes zyrtare.
Aq më tepër kur bëhet fjalë për një prag klasike, si ajo Tirana-Vllaznia, ku opinioni i gjërë sportiv, si dhe mënyrë të veçantë ai grup tifozësh kuqeblu që ka vendosur të udhëtojë drejt kryeqytetit, është i interesuar të ketë informacionin e duhur për gjendjen e skuadrës.
Por, sot, kur duhej të zhvillohej konferenca e shtypit, për medien nuk ka asnjë asnjë info, se, si dhe pse, nuk do të flasë askush për medien.
Dhe, një gjë e tillë ndodh për herë të tretë në katër javët e fundit, çka nuk ishte hasur kurrë nga ana e Vllaznisë për një veprim të tillë.
Situatë kjo, që lë shteg për interpretime duke lënë të kuptohet se diçka nuk shkon brenda skuadrës, apo klubit kuqeblu në përgjithësi.
Gjithësesi, e rëndësishme është që ky distancim me medien, që realisht nuk është se ka pasur ndonjë sulm keqdashës në adresë të kampit kuqeblu, të japë efektin pozitiv për Vllazninë, e cila pas disa javëve në krizë rezultatesh, të shtunën është në pritje të kthesës me një fitore të mundshme në transfertë me Tiranën.



