Saturday, November 23, 2024

(Histori) “Basketbollisti i famshëm, njeriu i ‘koshit magjik’ në prill ’71 kundër Partizanit u arrestua nga Sigurimi për…”/ Historia e panjohur Land Topallit, që punoi në lulishtet e Tiranës

Lexo

Nga Uvil Zajmi

“…Vetëm tre sekonda lojë, topi në duart e Topallit, ka gjuajtur dhe… kosh, kosh, kosh..! E pabesueshme! E pabesueshme! ‘17 Nëndori’ kampion…!!!”. Dhe në të vërtetë, ai i Land Topallit në prillin e vitit 1971, ka qenë dhe mbetet koshi më legjendar, më historik, i regjistruar në basketbollin shqiptar. Për shumë dekada, një i tillë, nuk është përsëritur më. U bë i famshëm për disa motive: U shënua në një takim final derbi, “Partizani” – “17 Nëndori” ndër më rivalizuesit dhe tradicionalët; u realizua në tre sekondat e fundit; ishte deciziv, pasi i dha fitoren skuadrës tiranase dhe e fundit, ishte tipik i stilit të NBA-së, thuajse nga mesfusha. Çfarë bënte pas viteve ’90-të, njeriu me dorën magjike, karriera, jeta, drama që e goditi në kulmin e formës e të famës?

Ndeshja e famshme
Pallati i Sportit “Partizani”, e shtunë, 3 prill 1971, ora 19:00, përballë “Partizani”-“17 Nëndori”, finale për titullin kampion për meshkuj. Publiciteti dhe interesimi, është i jashtëzakonshëm, por vetëm pak bileta në shitje (30 lekë të vjetra, kushtonte një e tillë, ose, sa kushtonte një paketë duhan “DS” me filtër dhe një shkrepse), të tjerat, ndaheshin me autorizim, për institucionet, zyrtarët e lartë. Vetë lojtarët kanë marrë nga tri copë. Por, ka edhe nga ata që futen me bileta të sajuara apo false, ndërkohë që nuk funksionon tregu i zi, i tyre.

Në kushtet e një tensioni të madh, Federata e Lojërave me Dorë, ka vendosur dy arbitra të kategorisë së parë, Agim Taraku dhe Kostaq Pojani. Ndërkohë, takimin e paraprin një ndeshje e të rinjve, “Partizani”-“17 Nëndori”, që fitohet nga të parët dhe Arben Fagu, është lojtari më i mirë në fushë. Pas tyre, në parket për nxehmje, kanë dalë dy skuadrat që do të aktivizojnë: “Partizani” me Agim Fagun, Nikolin Palin, Kushtrim Zaçen, Dodan Përmetin, Besnik Pëllumbin, Gjinaj, Bekteshin, Boshnjakun, etj. Ndërsa “17 Nëndori”: Bujar Shehu, Vaso Shaka, Kujtim Kasmi, Gavrosh Levonja, Roland Topalli, Piro Koleka, etj.

Rivaliteti është i madh, “Partizani”, kryeson në përfundim të pjesës së pare; 37-33, por duhet thënë se gjatë lojës, asnjë ekip nuk ka mundur të udhëheqë me më shumë se 4-5 pikë. Si rezultat i taktikës të përdorur nga trajneri-lojtar i 17 Nëndorit, Bujar Shehu, lojtarët e “Partizanit”, janë të ngarkuar me gabime personale. E tillë është edhe pjesa e dytë dhe kulmi arrin në barazimin 68-68, pas një koshi të Agim Fagut, kur tabela elektronike, tregon se kanë mbetur edhe 3 sekonda lojë…!

Tabela elektronike
Ka qenë shumë e veçantë, madje dëshmitare e mjaft evenimenteve sportive zhvilluar në mjedisin kryeqytetas. Nuk ishte elektronike e mirëfilltë, si ato sot, por moderne për kohën. “Made in China”, ajo ishte dhuratë prej tyre, kur u ndërtua Pallati i Sportit dhe shërbeu për shumë kohë. Minutat tregoheshin nga numra llambash neoni, në qendër të saj, ndërsa sekondat, ishin të vendosura në pjesën rrethuese, me rrathë të vegjël dhe e gjithë tabela komandohej nga një person në tavolinën qendrore.

Gabimet personale, demonstroheshin me tabela dore kartoni të vogla, që ngriheshin lart nga një gjyqtar i tavolinës qendrore, që mbante proces-verbalin e takimit, duke i treguar numrin e gabimeve, çdo lojtari (shpesh, ndaj tij kishte protesta, pasi edhe tifozët i mbanin shënim personalet, në veçanti ato të kundërshtarëve). Pra, kur kishin mbetur edhe tre rrathë të vegjël, domethënë edhe tre sekonda, që të përfundonin 20 minutat e dyta dhe krejt takimi, “17 Nëndori”, do të fusë topin në lojë…!

Gjuajtja që tronditi kryeqytetin…!
Pra, tiranasit rifillojnë lojën nga vija fundore, kur kanë në dispozicion një kohë të limituar në ekstrem, pak shpresë, e të gjithë janë përgatitur, për një shtesë 5-minutëshe. Nga vija fundore, Kasmi pason për Kolekën, ky menjëherë te Topalli, i cili, i gjendur në mesfushën e tij, pa menduar as dhe një sekondë të vetme, ka bërë dy hapa dhe në të tretin, thuajse nga mesfusha me kërcimin karakteristik, e ka lëshuar topin drejt koshit. Tabela shënon fundin e lojës, ankth, ndërsa sfera është në ajër, duke bërë fluturimin historik dhe pa e prekur fare rrethin metalik, është përplasur në rrjetë, e ka shkundur atë dhe në parket ka ndalur vrullin.

Një kosh tejet spektakolar, pallati ka shpërthyer, entuziazmi është i jashtëzakonshëm në kampin tiranas, ndërsa lojtarë e tifozë të “Partizanit”, bashkë me ta i gjithë stoli, të shtangur nga kjo befasi…! Loja ka përfunduar me shifrat 70-68. “17 Nëndori”, është kampion. Gjuajtja është kryer brenda kohës dhe nuk lë shteg për post-diskutim. Me këtë fitore, pas 6 vitesh, “17 Nëndori” rimerr titullin, ndërsa Kujtim Kasmi dhe Kushtrim Zaçe, janë shënuesit më të mirë me 21 pikë. Vetë Topalli, është autor i 15 pikëve.

Si e kujton atë moment?
Ishte përgatitur për të nisur sulmin e shpejtë, pra ndodhej në mesfushë, kur papritur e ka parë topin në duart e tij. As nuk mban mend se kush ia pasoi, pasi tensioni, lodhja, presioni, zhurma nga barazimi i “Partizanit”, momentalisht i ka hutuar lojtarët e “17 Nëntorit”, që të sigurt e kanë gjykuar të fituar lojën. Dhe me një fillim loje rutinë e të pashpresë, Topalli, as që ka menduar se nga dora e tij, do të realizohet koshi më historik i basketbollit shqiptar. Me të vetmen alternativë, pra të gjuante, e ka lëshuar topin dhe vetëm nga shpërthimi i një brohoritjeje gjigante të tifozerisë, e ka kuptuar se ka shënuar.

Me orë të zgjatura, në stërvitje i aplikonte gjuajtjet nga distance, pa menduar se një ditë, në një çast, në një ndeshje tejet të rëndësishme, ai do të ishte vendimtar dhe i papërsëritshëm. Pastaj të gjithë mbi të, lojtarë e tifozë që kanë vërshuar në parket dhe i zhytur nën ta, krejtësisht në gjendje gati të fikti, mban mend se e kanë mbajtur në krahë, madje rrobat, i ka marrë disa ditë më vonë. Kujton se ka parë trajnerin Greva, i ulur në stol, bashkë me disa lojtarë të “Partizanit”, me duart në kokë nga dëshpërimi. Ndeshja është transmetuar në Radio-Televizionin Shqiptar, nën komentin e Vladimir Grillos dhe në radio, nga zëri pasionant i Ahmet Shqarrit.

Sekondat e fundit, një pafundësi
Jemi në sezonin 1970-’71, rivaliteti “Partizani”-“17 Nëndori”, është në kulmin e tij. Zhvillohet faza e dytë, fundi i muajit mars, java e 8-të dhe tiranasit komandojnë me 2 pikë në renditje dhe një fitore i jep trofeun. Janë 7 sekondat e fundit, rezultati 65-63, për ta, ndërsa Topalli, luan me topin në anësore, gjuan dhe shënon. Por një vërshëllimë e arbitrave, Virgjil Karaj e Luan Kotherja, ka ndërprerë lojën, duke sinjalizuar për shkelje vije nga Topalli dhe koshi nuk ka vlerë.

Ka protesta, por nuk ka kthim mbrapa, loja rifillon, “Partizani” e qarkullon topin me shpejtësi e, i pagabueshmi Agim Fagu, gjuan saktë dhe 65-65. Luhet koha shtesë prej 5 minutash, pas të cilave me shifrat 76-74, mbyllet krejt takimi, “Partizani” fiton ndeshjen dhe barazon “17 Nëndorin” në renditje, në kuotën e 35 pikëve. Në vendin e tretë, “Studenti” me 31, “Vllaznia” e “Lokomotiva”, kanë 28 pikë.

Moviola historike në basketboll
Duket e pabesueshme, por moviola e famshme, është aplikuar shumë vite me parë edhe në Shqipëri. Sapo kishte filluar të njihej e të afirmohej në serinë A të Italisë, krejt rastësishëm lindi nevoja të përdoret për një çast të diskutueshëm, në një ndeshje basketbolli të kampionatin shqiptar. Duke qenë se ndeshja “Partizani”-“17 Nëndori”, u transmetua direkt në TVSH, drejtuesve të “17 Nëndorit”, u lindi ideja dhe kërkojnë në drejtorinë e Radio-Televizionit Shqiptar, që të ri shihet momenti i shkeljes, apo jo, i vijës anësore.

Përfaqësues, arbitri i takimit, i mirënjohuri Virgjil Karaj, pasi kanë parë disa herë në ekran momentin deçiziv, konstatojnë se, këmba e Topallit, është brenda fushës së lojës, pra koshi është i rregullt dhe i gabuar vendimi i tyre. Por, asgjë nuk do të ndryshonte, pasi ndeshja kishte përfunduar, gabimi është njerëzor dhe pas katër ditësh, do të luhet finalja. Nisur nga ajo, si u veprua, kjo mund konsiderohet si “moviola e parë”, në sportin shqiptar, por ndryshe nga historia, nuk ka për start futbollin, por basketbollin. Dhe jemi në vitin 1971, kur përveç Italisë, ky mekanizëm ,nuk aplikohej në asnjë disiplinë sportive, por edhe në asnjë vend tjetër të botës.

Rivaliteti me “Partizanin”

Në atë sezon, “Partizani”-“17 Nëndori”, u ndeshën tri herë. “Partizani” ishte kampion, ndërsa tiranasit, në luftë për titull. Të tre takimet, zgjatën 125 minuta në total; i dyti ishte më i gjati, 45 minuta. Takimet u arbitruan nga: Luan Kotherja, Kristaq Pojani, sfidën e fazës së parë që u mbyll 78-73, për “17 Nëndorin”; Luan Kotherja e Virgjil Karaj takimin e dytë, 76-74 për “Partizanin” dhe të tretin, nga Kristaq Pojani e Agim Taraku, ndeshje që u mbyll 70-68, për “17 Nëndorin”, që rifiton titullin.

Në tre takimet, u shënuan 222 pikë nga “17 Nëndori”, dhe 217 nga “Partizani”. Shënuesi më i mire, në tri përballjet, ishte Vaso Shaka me 71 pikë. Por, ajo që duhet kujtuar, është se Kombëtarja e kohës, përbëhej kryesisht nga këto dy ekipe. “Ishim kundërshtarë në fushë, por shumë miq në përfaqësuese e jashtë saj, në veçanti me Agim Fagun. Në kombëtare, qëndronim të gjithë bashkë, me Zaçen, Nikolin Palin, Dan Përmetin, Pëllumbin”, tregon Topalli.

I paharruar, takimi me “Jugoplastikën” e Jugosllavisë
Në rolin e anësorit, fundorit apo të një “play-maker”, 179 cm i gjatë, me numër 7 në fanellë, Land Topalli, mund të konsiderohet si një ndër më modernët në këtë rol për kohën. Shumë i shkathët, inteligjent, improvizues, me një kërcim të bukur e saktësi në gjuajtje, shumë i rëndësishëm dhe interpretues i saktë i skemave taktike për skuadrën, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, në sinkron të plotë me lojën dhe fizionominë e “17 Nëntorit”, por edhe të ekipit kombëtar, me të cilin luajti për shumë vite e në mjaft sfida të rëndësishme.

Po kështu edhe në Kupat e Europës me klube, loja e tij spikat në veçanti. Pa dyshim ajo me “Jugoplastikën” e Splitit në Kupën e Kampionëve, ka mbetur në memorien e Topallit. Është fundviti 1971, ndeshje shumë e bukur, Topalli realizon 10 pikë në Tiranë, në ndeshjen e parë dhe 15 në Split, ndaj gjigantëve të kohës që kualifikohen pa vështirësi. (“Jugoplastika”, arrin deri në finale të trofeut, por mundet nga “Oransoda”-Itali)

Kthimi nga Beogradi, tmerri në avion
Nga karriera sportive kujton edhe diçka shumë të veçantë. Pas ndeshjes në Beograd me “Cerven Zvezdën” (1973), skuadra do të kthehet në Tiranë, me një avion i vogël, 20-vendesh, i shoqërisë ajrore “JAT”, e vetmja që kryente fluturimin Beograd-Tiranë e, anasjelltas. Ndërsa ka pak minuta që janë ngritur në ajër, avionit i bllokohet një nga motorët. Piloti, për të qetësuar pasagjerët, informon për një defekt të vogël dhe për këtë arsye, avioni do të rikthehet në Beograd. Por, gjatë kthimit, krejt papritur, atij i bllokohet edhe motori tjetër. Çaste tmerri, frike, të gjithë të zverdhur, ndërsa me ulje të butë, piloti ka mundur ta zbresë avionin në pistë.

I shqetësuar, ka dalë në aeroport ambasadori shqiptar i njoftuar për këtë avari. Pas kësaj, skuadra është sistemuar në hotel, por drejtuesit e saj, kanë kërkuar të kthehen me tren në Titograd. Kërkesa është refuzuar nga pala jugosllave, të cilët i kanë garantuar kthim të sigurt dhe pa problem, pas dy ditësh me avion. Kulmi ka qenë kur në nisje, sportistët kanë njohur se ishte po ai avion, i prag-katastrofës. Askush nuk ka dashur të ngjitet e të udhëtojë me të, madje kanë refuzuar, por rrugë tjetër nuk ka. Pas një ore udhëtim, midis ankthit, frikës, pasigurisë, me mbërritjen në Rinas, ka marrë fund aventura, por shqetësimi, dukej qartë në fytyrat e tyre.

Nga një botë në tjetrën, ndëshkimi i papritur..!
Një histori, apo skenar i përshtatshëm për filma. Mesvitet ’70-’80-të. Prej kohësh, situata politike është e tensionuar. Me akuzën “grupe armiqësore”, ka ndëshkime të ashpra në art, ekonomi, ushtri, vetëm sporti ka shpëtuar. Tetor i vitit 1975, mësues i Edukimit Fizik, në Shkollën e Mesme Ekonomike në Qytetin e Nxënësve, Topalli, ka mbaruar orën e 6-të dhe me biçikletë, i lodhur, kthehet në shtëpi. Papritmas, në hyrje të apartamentit, gjen një grup njerëzish të panjohur: “Ti ke probleme me hetuesinë”, i thotë ashpër njëri prej tyre.

Ata kishin ardhur për kontroll, kishin hapur gjithçka, mendonin se mund të gjenin dokumente apo materiale që u interesonin atyre. Por, kanë gjetur vetëm disa revista italiane “La mezzora”, me barsoleta që lexoheshin në tren, të cilat Topalli, i kishte marrë kur kishte qenë në Kaljari, në vitin 1971. Ndonëse shihej qartë se Landi, nuk kishte asnjë lidhje me persona apo individë të elitës politike që ishin nën akuzë, pasi ka bërë tre muaj hetuesi dhe me akuzën për mbajtje në shtëpi të revistave të huaja, dënohet me gjashtë muaj heqje lirie. Në mars të vitit 1976, lirohet nga burgu, por me të drejtë kthimi në arsim.

Ka fituar lirinë e marrë padrejtësisht, por ka humbur familjen, miq, shokë, punë e karrierë, gjithçka. Martesa ishte shumë e shkurtër, zgjati pak kohë, por prej së cilës, Roland Topalli do të kishte pasoja të rënda në familje e sport. Tashmë, kthim mbrapa nuk ka, dëmi moral, material është i pakorrigjueshëm. Është në moshën 29-vjeçare, ka lënë pas famën, sportin dhe i duhet t’i kthehet jetës. Ndërkohë, ka një keqardhje që e kujton edhe sot: momenti kur iu larguan të gjithë, jo vetëm atij, por edhe familjarëve, nuk u fliste më njeri. Afër i mbetën prindërit, në veçanti vëllai dhe një mik, Osman Deda, të cilët nuk e braktisën.

Vështirësia për të gjetur punë
Doli me vendim gjykate, me të drejtë kthimi në arsim. Por nuk mund të rifitojë plotësisht, ato që humbi padrejtësisht. Në arsim e në sport, as që bëhej fjalë, por mundësisht një punë çfarëdo për të filluar, pasi të ndëshkonin për papunësi, pasivitet, parazitizëm. Është paraqitur në zyrën e punës në Komitetin Ekzekutiv, nga ku e caktuan të shkojë në Kombinatin “Josif Pashko”. Atje takon Bujar Kapexhiun, artistin e njohur, edhe ky i ndëshkuar pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radio-Televizion. Pastaj, transferimi në Gurore (vend pune në Malin e Dajtit). Një muaj atje, pastaj me miqësi nga sporti, transferohet në Ndërmarrjen e Gjelbërim-Pastrimit në Tiranë, si punëtor në sektorin e Gjelbërimit, ku punon për një vit. Pastaj, një mik, Genc Kraja, përgjegjës i ofiçinës, e merr në sektorin e tij. Për më shumë se 14 vjet, deri në vitin 1990, ka punuar në këtë ndërmarrje.

Rikthimi, klubi faktor kryesor
Atje ku e filloi karrierën, atje do të gjente edhe strehën e rikthimit. Është afruar me miqtë e tij të skuadrës së dikurshme, në veçanti me Bujar Shehun e Vaso Shakën, që e përkrahin, e mbështesin në pozicionin dhe momentin më të vështirë të jetës. Viti 1978, duke i njohur vlerat, aftësitë, korrektësinë, Klubi i “17 Nëndori”, e afron të punojë në stafet teknike të moshave. Fillimisht si trajner me vajzat e reja, pastaj me të para të rinjtë, të rinjtë, ku ka meritën në zbulimin e talenteve të rëndësishëm për Klubin dhe ekipet kombëtare. Në fundvitet ’80-të, merr titullin e trajnerit profesionist.

Karriera sportive e Roland Topallit
I datëlindjes 1946, i diplomuar në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike, “Vojo Kushi” në Tiranë, është produkt i Parkut Sportiv “Xha Toni”. Një karrierë e filluar shumë shpejt, zbulohet si talent, aktivizohet me të rinjtë, për të kaluar me ekipin e parë të “17 Nëndorit”. Është një ndër ata sportistë që i takon brezit magjik të viteve ’70-të dhe me Bujar Shehun, Vaso Shakën, Kujtim Kasmin, Gavrosh Lëvonjën, Roland Avramin, Piro Kolekën, Papën, etj., si pjesë e formacionit legjendar të “17 Nëndorit”.

Titullar edhe me skuadrën kombëtare, ai do të dallohet për shpejtësi, shkathtësi, saktësi, inteligjencë dhe përgatitje të lartë fizike, një lojtar tipik dhe shumë modern për rolin e fundorit, jo vetëm në takimet kombëtare, por edhe ato ndërkombëtare, ku spikasin turnetë në Kaljari (1971) dhe pa dyshim, tri ndeshjet e famshme me “Zadar”-in, e Splitit, “Jugoplastikën” e Bosnjës dhe “Crvena Zvezdën” e Beogradit, të Jugosllavisë së asaj kohe.

Takimi me Rato Dvërdiç
Ka qenë një befasi për Lan Topallin, takimi me ish-lojtarin e famshëm të “Jugoplastikës”, Rato Dvërdiç. Me motive pune, ai ka ardhur në Tiranë pak kohë më parë dhe bashkë me impenjimet e tij, i ka kujtuar shoqëruesve se dikur, ka qenë dy herë në Shqipëri: Në Ballkaniadën e vitit 1964 dhe disa vite më vonë, me “Jugoplastikën”. Pastaj ka kërkuar që t’i mundësojnë një takim me ish-lojtarët shqiptarë të atyre viteve. Ka qenë një çast shumë emocionues, kur janë parë. Natyrisht të ndryshuar, ai ka njohur Vaso Shakën, por menjëherë Land Topallin, pasi rivaliteti sportiv në fushë midis tyre, ka qenë shumë tërheqës.

Jeta dhe impenjimet e Land Topallit, pas viteve ’90-të
Ndoshta nuk mund ta besosh kur të thotë se është në pension, pasi është ai Land Topalli, i shumë viteve më parë, aq sa duket se koha për të ka qëndruar në vend. Energjik si dikur, i dashur, aktiv, nuk tregon moshë, madje askush nuk mund t’i japë moshë pensioni, pasi duket shumë i ri. Asnjëherë nuk ka konsumuar duhan e pije alkoolike, shumë korrekt në jetë, ruan atë freski fizike, atë performancë elegante si dikuar kur luante në parket. I martuar dhe me një vajzë, Enxhi, 20 vjeç, që luajti pak basketboll, pa preferuar të vazhdojë rrugën sportive të të atit.

Vetë Landi, nuk i ndahet basketbollit, ruan dhe vazhdon miqësinë me të gjithë ish-sportistët e kohës. Ndjek NBA-në dhe bën tifo për Lejker-sat, pa iu ndarë hobit të vjetër, motorëve dhe automjeteve, por edhe atij të ri, celularëve. Me aktorin Bad Spenser, ruan nostalgjinë e viteve ’70-të, ka pasion udhëtimet, por jo me avion. Në historinë e basketbollit shqiptar, kontributi i Roland Topallit, është një pjesë e rëndësishme. Por, edhe për atë kosh të mrekullueshëm të realizuar në ato sekonda fatale, në atë pasdite prilli të vitit të largët 1971…!

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img