Humbja me Poloninë në “Air Albania” mbrëmjen e së martës nuk është pritur aspak mirë nga futbollistët kuqezi. Sipas tyre, Shqipëria e kishte përgatitur ndeshjen për ta fituar. Të paktën për atë që u dha në fushën e lojës, barazimi ishte më i drejtë, dhe kurrësesi humbja, e cila erdhi nga një episod konfuzioni në portën tonë. Një gjë të tillë e konfirmuan në prononcimet e tyre të pas ndeshjes, titullarët, Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Marash Kulbullulla dhe Odise Roshi.
Etrit Berisha(Kapiten skuadre)
“Pikë së pari, në futboll gjithmonë ndodhin gabime. Dhe skuadra polake bëri gabime, por nuk shënuam dot. Jemi krenarë me këtë grup, ka qenë një rrugëtim i rëndësishëm, jemi rritur, kemi besuar që ti gëzojmë tifozët dhe të fitojmë ndeshjen. Nuk i shfrytëzuam rastet, te rasti i golit ishte goditje për ne, në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, pasi u ruajtëm nga gabimet. Në pjesën e dytë, duke parë që po humbnim duelet në ajër, donim të luanim në ajër, aty ndodhi një gabim. Më pas ishte shumë e vështirë, ndodhi dhe ndërprerja që nuk e di sa na ndihmoi. Duhet të vazhdojmë përpara, të shohim deri në fund të shpresojmë për një vend në Botëror, të përmirësohemi dhe në sfidat e radhës të bëjmë më mirë. Shumë çuna ishin të dëshpëruar, bëmë një lojë të mirë. E vendosëm Poloninë në vështirësi, pavarësisht sa fizik janë. Gjithë çunat ishin të bindur që mund të fitonim, ishte dëshpëruese pas ndeshjes, por ku përfundon ndeshja nuk ke çfarë bën.
Elseid Hysaj(Futbollist)
“Më vjen shumë keq, ishte një ambient që e kisha harruar prej 1 vit e gjysëm. Një emocion sikur po luaja për herë të parë me Kombëtarët. Më vjen shumë keq për tifozët që ishin këtu dhe na mbështetën deri në fund. Na mungoi guximi, duhet të provonim më tepër. Kur ke më shumë raste mundësitë për të shënuar janë të mëdha. Për sa i përket skemës janë gjëra që i di trajneri, të shikojmë në të ardhme ccfarë do të ndodhë. Ishte dhe meritë e kundërshtarit te goli. Duhet të rritemi. Duhet të jem akoma më i rritur dhe më i fortë më shumë. Radhës tjetër do jem më i përqëndruar. Gjyqtari na tha që duhet të hyjmë brenda, unë isha duke menduar për golin. Në qoftë se nuk futeshim të gjithë brenda, rrezikohej zhvillimi i ndeshjes. Ndodhi për shkak të shisheve të hedhura në fushë. Thanë që cënohej siguria”.
Odise Roshi(Futbollist)
‘’Besoj se kemi dhënë maksimumin sot, Polonia ka një ekip shumë të mirë. Ka mbrojtje shumë të fuqishme. Mund t’i shfrytëzonim ato dy raste që kishim, pësuam një gol që nuk duhej por i ka këto futbollit dhe jemi shumë të mërzitur. Mungesat ishin një forcë e madhe për ne, aty do ta shikonim Poloninë çfarë niveli kishin. Në ndeshjen e ardhshme shpresoj të bëjmë më mirë. Nuk mund ta them një gjë të tillë se jam i mënjanuar nga kombëtarja, unë jam maksimumin si majtas apo djathtas ku më vendos trajneri. Trajneri do fitoren dhe fut lojtarët më në formë, besoj se trajneri do të fitojë gjithmonë. Sa i përket krahasimeve, në kohën e De Biasit u ndjemë mirë sepse shkuam në Europian, por tani ndihemi shumë mirë sepse kemi grupin dhe ndihemi shumë mirë me trajnerin’’.
Marash Kumbulla(Futbollist)
”Jam krenar për atë që bëmë të gjithë në fushë, nuk jemi të këanqur me rezultatin pasi na vjen keq për tifozët. Dhamë 100% në fushë na vjen shumë keq për rezultatin. Mendoj se duhet të mbanim më shumë topin kur shkuam në sulm, por Polonia është ekip i madh dhe ne e kemi treguar veten. Në lidhje me mungesën e Gjimshitit mund të them se lojtarë si Gjimi na mungojnë shumë jo vetëm mua, por të gjithve, por Veseli dhe Ismajli luajtën shumë mirë sot. Për mua ka rëndësi ekipi, nuk kam çfarë them, na vjen keq për rezultatin por jemi krenar për ekipi çfarë dha në fushë”.