Humbi në shtëpi me Egnatian, tekniku Mezani i pakënaqur me lojtarët e stolit

Prononcimi i trajnerit të Bylisit, Gentian Mezani, pas ndeshjes, Bylis-Egnatia, 0-2

“Bëmë një pjesë të parë të mirë deri diku. Nuk rrezikuam mbrapa. Pësuam një gol që ishte i evitueshëm. Më vjen keq, lojtarët që u futën në pjesën e dytë, nuk i dhanë ritmin e duhur pjesës së dytë, për të marrë përsipër dhe për ta zgjidhur situatën më mirë.

Pjesa e dytë ishte një ndeshje për t’u harruar. Goli i parë na ndryshoi gjithçka, e kishim menduar ndryshe. Prisja diçka më tepër nga lojtarët që futa. Janë lojtarë që kanë cilësi dhe kualitet. U mundova që mbas pësimit të golit të kishim më shumë kualitet në fushën e lojës.

Para ndeshjes skuadra ishte e karikuar, kishte dëshirë, e patë dhe në pjesën e parë. Nuk ndihej pjesa e humbjeve më përpara kundrejt Egnatias. Nuk lejuam hapësira në pjesën e parë. E dinim që Egnatia ka lojtarë që e nxjerrin golin nga asgjë. Kishin dhe më shumë lëvizshmëri në fushë. Në pjesën e dytë na mungoi kjo lëvizshmëri. Zhgënjimi ishte te pjesa e cilësisë që ne futëm, por nuk arritëm të bënim asgjë në pjesën e dytë.

Jam fokusuar te ndeshja, do ta analizoj me qetësi. Në qoftë se dikush nuk do që të luajë, është mirë që mos luajë. Në futboll luhet 11 kundër 11, nuk mund të luajmë 7 kundër 11. Kemi edhe lojtarë që iu mbaron kontrata, ndoshta edhe ruhen. Këtë situatë do të vlerësoj në ndeshjen e ardhshme me Vllazninë.

Më shumë e kam me lojtarët që u futën në pjesën e dytë, më zhgënjyen jashtëzakonisht shumë. E patë agresivitetin. Janë edhe 4 ndeshje të tjera, në pjesën e parë ishim të kujdesshëm, kanë qenë në limitet e kartonëve. Është mirë që nuk morëm kampion, se deri në këtë ndeshje kemi marrë jashtëzakonisht shumë.

E kemi parë Egnatian në ndeshjet e kaluara, kemi dalë në konkluzionin që është shumë e fortë në kundërsulme. Kjo është arsyeja pse duhet të ruanim ekuilibrin. Edhe një pikë do të na bënte punë. Kërkova mos ishim euforikë, për të mos lënë hapësira mbrapa. Humbëm forcë përpara, por fituam ekulibrin mbrapa. Në pjesën e dytë goli i pësuar ndryshoi gjithçka.

Nuk kishim çfarë të humbisnim më, ishim në disavantazh. Unë shumë mirë mund të startojë me ata që futa, por vendosëm të ishim më shumë vrapues në fushën e lojës. Më duhet të kaloja menjëherë në planin B, për të goditur kundërshtarin në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Kjo ishte arsyeja pse bëra shumë ndërrime. Kishim probleme në të dy krahët. Nuk arritëm t’i shërbenim sulmuesit Ibrahim. Jo më kot e kisha vendosur Peraltën dhe Përndrecën në të njëjtin krah, për të hedhur sa më shumë topa në zonë, kjo nuk ndodhi për meritë të kundërshtarit”, u shpreh Mezani.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu