Rubin Hebaj duket se është rikthyer me fat në radhët e Teutës. Shkodrani i sulmit durrsak prej disa ndeshjesh është bërë faktor përcaktues në rezultatet e skuadrës së tij. I tillë ishte edhe në dy përballjet e njëpasnjëshme ndaj Skënderbeut të vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Shtatlarti Hebaj i shënoi korçarëve dy javë më parë në stadiumin “Skënderbeu” në një tapet të mbuluar me dëborë, ndërkohë që të njëjtën gjë bëri edhe në ndeshjen e sotme të luajtur në “Elbasan Arena”, kur goli i tij në minutën e tetë nga pika e bardhë e penalltisë i dha fitoren dhe kualifikimin skuadrës së tij.
Kësisoj, Teuta është gjysmëfinalistja e parë e Kupës së Shqipërisë. Për “djemtë e detit” i gjithë suksesi ka ardhur në minutat e para, ndërsa Teuta fiton njëmbëdhjetëmetërshin pas pengimit që Zguro i bën Qaqit brenda zonës së rreptësisë. Pas këtij momenti, Skënderbeu zgjohet duke u vënë në kërkim të golit të barazimit. Janë disa momente të mira të korçareve, mes të cilave edhe një rast i volitshëm i shkodranit Belajdi Pusi, por që nuk sjellin rezultat.
1 me 0 për durrsakët mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që pjesa e dytë regjistron edhe të tjera momente pozitive të korçarëve, të cilët për hirë të së vertetes luajnë mirë. Madje, ato arrijnë të shënojnë në të 62’, me anë të Shehit, por pas verifikimit në sistemin VAR, goli anulohet për pozicion jashtë loje.
Minutat në vazhdim mbajnë sërishmi në ankth durrsakët, pasi Skënderbeu vijon të sulmojë në kërkim të golit të barazimi, sidomos me një kërcënim të Mensah në të 75-tën minutë që përfundon jashtë katërkëndorit të portës bregdetare të mbrojtur nga Qirko. Vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit kryesor Blerim Ziri fikson rezultatin 1 me 0 për Teutën, e cila edhe pse me një lojë jo të mirë, shijon kualifikimin në gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë.