“Megi Doçi është sportistja e Vllaznisë që me golin e saj kundër Realit të Madridit ngriti peshë shumë zemra dhe na bëri të gjithëve krenarë.
Megi është frymëzim për të gjitha vajzat dhe gratë që e duan sportin, duke na bërë edhe ne më të përgjegjshëm që t’i kushtojmë gjithnjë e më shumë vëmendje dhe mbështetje përfshirjes së vajzave në sport. ”
Ky është statusi që Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka përcjellë në faqen e saj zyrtare dedikuar futbollistes së Vllaznisë, Megi Doçi. Një status që vjen si kompliment për golashënuesen më të mirë të ekipit Vllaznia dhe të kampionatit shqiptar, ndërkohë që zyrtarisht është e çertifikuar si golashënuesja më e mirë në botë.
Më konkretisht, ajo që ka nxitur Ministren e Arsimit Evis Kushi për të publikuar këtë status ka të bëjë me golin që futbollistja kuqeblu Megi Doçi shënoi në Madrid përballë Realit vendas në kuadrin e sfidave të së grupeve të Ligës së Kampioneve të Europës. Një gol që pati një jehonë jashtëzakonisht të madhe edhe për faktin se ishte i pari i këtij lloji që një futbollist apo futbolliste shqiptare shënonte në një kompeticion të niveleve të tilla të larta.
Sa i përket Kampionatit Kombëtar të futbollit të femrave për sezonin 2022-2023, Vllaznia e Shkodrës është një hap pranë fitimit të titullit të 10-të kampion radhazi, teksa kryeson kampionatin me tre pikë më shumë sesa Tirana, me të cilën do të përballet këtë fundjavë në Shkodër për xhiron e fundit të kampionatit.
Krahas tiullit të 10-të kampion si ekip, Vllaznia do të ketë edhe një trofe tjetër, atë të “Këpucës së Artë” shqiptare, trofe që pritet ta marrë sulmuesja e Vllaznisë dhe kapitenia e ekipit shqiptar, Megi Doçi.