Friday, November 29, 2024

Ilir Kepa: Nuk mendoj që Universitatea është një ekip i pathyeshëm! Takova mikun tim Josa, dhe ishte shumë pozitiv dhe optimist për ndeshjen, i uroj me zemër kualifikimin!

Lexo

Ish futbollisti i Vllaznisë, kombëtares shqiptare dhe për disa vite pjesë e kampionatit belg dhe francez, Ilir Kepa, prej disa ditësh është në Shkodër me pushime, dhe natyrshëm pjesën më të madhe të kohës së lirë e kalon me miqtë e tij të afërt, ish kolegët e fushës së futbollit.

I tillë ishte takimi me Kepën edhe në kohën kur po konsumonte kafe dhe diçka më shumë në pedonalen e qytetit të Shkodrës.

Në fakt, është një lokal simpatik nën administrimin e ish futbollistit të Vllaznisë dhe të disa skuadrave të tjera, Ersi Çaku, vendi ku njerëzit e futbollit mblidhen aty çdo ditë, paradite dhe pasdite.

Aty ndeshëm edhe Kepën, ish sulmuesin simpatik të Vllaznisë, që simpatik ka mbetur edhe tani që është në kuadrin e veteranit të futbollit. Ishte nën shoqërinë e ish portjerit të famshëm Paulin Ndoja, Armando Cungut, Hysen Zmijanit, Avenir Danit, Ermal Dervishit, Arbër Shytanit, etj.

Kësaj tavoline, rreth së cilës vijnë edhe emra të tjerë që prej kohës që është rikthyer në drejtimin e Vllaznisë i është bashkuar edhe Mirel Josa. Madje, në momentin e takimit me Kepën, ai më bëri të ditur që Josa kishte vetem pak minuta që ishte larguar për të shkuar në stërvitje me skuadrën.

Krahas një interviste të zgjeruar që pata fatin dhe mundësinë t’ia marr Ilir Kepës rreth karrieres së tij të pasur sportive, të cilën do të keni rastin ta ndiqni këto ditë në portalin Veriu Sport, biseda me Ilir Kepën u përqëndrua natyrshëm edhe tek Vllaznia dhe konkretisht pragndeshja e Conferencë League me Universitatenë e Craiovës.

“Të them të drejtën, tani që Mirel Josa e ka marrë në drejtim Vllazninë, unë e pres më me padurim dhe kënaqësi dhe me shumë dashuri që ta kalojë këtë tur skuadra kuqeblu, sepse nuk mendoj që Universitatea është një ekip i pathyeshëm.

Nuk jam i sigurt a janë të njëjtit nivel lojtarët që i kanë zëvëndësuar ato 4-5 lojtarë që janë larguar. Kjo mbetet për tu parë ditën e ndeshjes.

Por, ajo që unë di të them është se Josa ishte shumë pozitiv nga ana teknike dhe taktike. Këtë e pashë qartazi gjatë bisedës së përzemërt që unë pata nundësi të bëj më të në tavolinë teksa po pinim kafen e mëngjezit në pedonalen e Shkodrës.

Për fat të keq nuk do të jem në stadium, sepse për arsye familjare më duhet të fluturoj nesër për në Bruksel, por padyshim që do t’i ndjek nga Tv dhe me shumë kënaqësi do ta uroj shokun tim të dikurshëm të ekipit Kombëtar, Mirel Josën, nëqoftë se kualifikohen në turin tjetër, dhe për këtë besoj se do të bëhet e mundur.”, u shpreh Ilir Kepa.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img