Ngjarjet e rënda të dhunës së ushtruar të enjten në mbrëmje, pas ndeshjes së Ligës së Konferencës, Tirana-Beshiktash kanë sjellë edhe pasojat e tyre. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Policisë së Shtetit që ka filluar proçedurat penale për 14 tifozë. Kështu Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për 10 persona me banim në Turqi, një person me banim në Gjermani dhe 3 persona, banues në Tiranë.
Nga këta dy janë të mitur, të moshës 17 vjeç. Këta shtetas, të enjten në mbrëmje, pas përfundimit të ndeshjes Tirana – Beshiktash, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, në rrugën “Abdi Toptani”. Gjatë konfliktit mes këtyre shtetasve, kanë mbetur të dëmtuar lehtë shtetasit T. A., 28 vjeç, dhe V. M., 47 vjeç.
Gjithashtu, gjatë konfliktit ndërmjet tyre është dëmtuar 1 automjet i parkuar aty pranë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sende të forta të përdorura gjatë konfliktit dhe lëndë piroteknike. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.