Futbolli shqiptar dhe kryesisht Kampionati Kombëtar i Abissnet Superiore, ka marrë vemendjen e FIFA-s institucionit të lartë të futbollit botëror. Kreu i këtij institucioni, Gianni Infantino, i cili njihet për bashkëpunimin e ngushtë që ka me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka përgëzuar dhe uruar ekipin e Tiranës që u shpall kampion tre javë përpara mbylljes së kampionatit.
Një gjë të tillë, ai e ka bërë përmes një letre që i ka dërguar kreut të FSHF-së Duka, ku krahas Tiranës, vlerëson në përgjithësi edhe zhvillimin e futbollit shqiptar në tërësi. Gjithashtu, Presidenti Infantino falënderon edhe Presidentin Duka dhe FSHF-në për kontributin e dhënë në zhvillimin e futbollit vendas dhe në Europë.
“I dashur President,
Me shumë kënaqësi uroj KF Tirana për kurorëzimin si kampione e Shqipërisë për edicionin 2021/22. Ky titull nuk mund të arrihej pa punën e palodhur, pasionin dhe përkushtimin e të gjithë ekipit dhe çdokush në klub duhet të ndihet shumë krenar. Lutem, dërgoni urimet e mia çdokujt që ka qenë i përfshirë në këtë arritje të madhe. Në emër të të gjithë komunitetit të futbollit, gjej rastin t’ju falënderoj juve dhe Federatën tuaj për kontributin tuaj në zhvillimin dhe prosperitetin e futbollit në Shqipëri dhe Europë. Pres të shihemi së shpejti, Juaji sinqerisht, Gianni Infantino”, citohet në letrën e urimit që Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino i ka dërguar Presidentit të FSHF-së, Armand Duka.